Çfarë domethënie ka hixhreti (shpërngulja)

Shtyp

hixhretiJemi në fund të vitit 1437 të Hixhretit dhe kjo datë nuk shënon ndonjë festë apo adhurim për ne, por padyshim se na kujton një ditë gëzimi të veçantë për muslimanët. Vërtetë ngjarja e hixhretit- shpërnguljes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, u mor si vit për llogaritje të vitit të Hixhretit për shkaqe administrative si dhe për shkaqe krenarie, por padyshim se ajo na kujton ngjarjen madhështore se si shpëtoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, nga armiqtë e tij dhe me këtë shpëtoi edhe gjithë Umetit pas tij. Allahu na ndihmoftë!
Lidhur me këtë, pra, me hyrjen në vitin e ri Hixhri dhe muajin Muhamrem ka shumë informata, të sakta dhe të tjera të pasakta. Disa ibadete dhe disa bidate. Disa ndjekin çfarë thonë tekstet kurse të tjerë çfarë t’ua merr mendja. Duke u mbështetur në parimet e shëndosha fetare, do t’i përmend disa çështje lidhur me fillimin e këtij viti:
Një: Fillimi i vitit Hixhri na kujton atë ngjarje të madhe që ndryshoi kahen e historisë, shpërnguljen e Profetit, sal’lallahu alejhi ue selem, nga Meka në Medinë.
Kur u rrezikua edhe jeta e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në Mekë, Allahu e urdhëroi që të shpërngulet drejt Medinës. Zgjodhi shok të këtij udhëtimi historik burrin më të madh pas tij Ebu Bekrin, i cili angazhoi tërë familjen e tij për ta ndihmuar këtë udhëtim. Angazhoi Esmanë që t’u përgatisë ushqimin e mjaftueshëm për këtë udhëtim, Abdullahun e angazhoi të sjellë lajme përderisa do të qëndronin të ngujuar në shpellë për tu fshehur, shërbëtorin e tij e angazhoi t’i kullosë dhentë aty pranë që t’ua fshijë gjurmët e këmbëve. Rrezikoi jetën e vet për tu nderuar me pjesëmarrje në këtë ngjarje madhështore. Arriti shëndoshë e mirë në qytetin e ri, ku ndërtoi xhami pastaj ndërtoi burra e trima, të cilët u bënë shkak që edhe ne sot të jemi muslimanë dhe të themi La ilahe il’lallah, Muhamedun Rasulullah.
Megjithëse ajo ndodhi në muajin Rebiul Evel, porse si vit të fillimit të kalendarit të muslimanëve, Omeri, radijallahu anhu, me njerëzit e tij zgjodhën vitin kur ndodhi shpërngulja.
Kush mediton këtë ngjarje e sheh rëndësinë e madhe që ka mbështetja te Zoti i gjithësisë. Çdo dobësi që kemi në këtë temë është përgjigje për dobësitë e shumta që jemi duke i përjetuar si Umet.
Njerëzit me iman të fortë bëjnë çudira, sepse kanë besim të palëkundur tek Allahu, janë të qetë dhe të mbështetur fortë tek Allahut.
Ju kujtohet nga kjo ngjarje se si Ebu Bekri, radijallahu anhu, derisa ishin të fshehur te shpella, i shihte këmbët e armiqve dhe thoshte: O Resulullah, nëse vetëm pak ata e ulin kokën do na shohin! Kurse i Dërguari, sal’lallahu alejhi ue selem, ia kthente:
((يا أبا بكر، ما ظنُّك باثنين الله ثالثهما؟!))[1].
“O Ebu Bekër, ç’thua për dy vetë kur i treti i tyre është Allahu?!”
Kjo na mëson se pavarësisht si duket situata, njerëzit e të vërtetës do të gëzohen me premtimin e Allahut:
{حَتَّى إِذَا اسْتَيْئَسَ الرُّسُلُ وَظَنُّواْ أَنَّهُمْ قَدْ كُذِبُواْ جَاءهُمْ نَصْرُنَا} [يوسف: 110].
“Saqë kur u dëshpëruan profetët dhe menduan se u përgënjeshtruan, u erdhi ndihma Jonë”.
Dy: Na përkujton se lidhja kryesore mes njerëzve është lidhja e teuhidit. Ajo duhet të jetë shkak i dashurisë, afrimit dhe përkrahjes mes vete, dhe jo interesi, partia apo medhhebi i caktuar. U desh të largohet nga vendlindja, farefisi e gjaku për të ruajtur Fenë.

Tre: Mësojmë se gjërat e mëdha nuk fitohen pa sakrifica. Kujtoni sakrifikimin e gjithë atyre muslimanëve që u larguan nga Meka me qëllim për ta fituar xhenetin, e Allahu pastaj ua dha edhe dynjanë edhe xhenetin.

Katër: Kujtojmë se roli i rinisë në ndihmën e fesë është i madh. Abdullahu, biri i Ebu Bekrit kishte një ndër rolet kryesore që shpërngulja e Profetit, sal’lallahu alejhi ue selem, të ishte e suksesshme.
Rinia duhet të merr detyra për të kryer dhe jo të thuhet se nuk dinë gjë, le të kënaqen sa janë të rinj, ende janë fëmijë, e pastaj shumë shpejt plaken dhe dalin gjenerata të shëmtuara, ku asnjëri nuk arrin të bëhet shëmbëlltyrë për dikë në shoqëri, madje as në familje.

Pesë: Kujtojmë rolin e femrës në ndihmën e fesë së Allahut. Emri i Esmasë u mbajtë mend më së shumti për ndihmën që ajo i bëri hixhretit të Pejgamberit, sal’lallahu alejhi ue selem.

Gjashtë: Dita e dhjetë e këtij muaji quhet dita e Ashurasë. Në këtë ditë thuhet se anija e Nuhut u kthye në tokë, gjegjësisht u ndalë mbi kodrën Xhudij, në këtë ditë Musai shpëtoi nga Faraoni duke e kaluar detin e kuq etj.
Ibën Abasi, radijallahu anhu, përcjellë se kur Profeti, sal’lallahu alejhi ue selem, e agjëroi këtë ditë dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë, ata thanë: Po kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët?! Atëherë, ai tha:
«فَإِذَا كَانَ الْعَامُ الْمُقْبِلُ، إِنْ شَاءَ اللّهُ، صُمْنَا الْيَوْمَ التَّاسِعَ » رواه مسلم ( 2619)
„Kur të jetë viti i ardhshëm, në dashtë Allahu do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë“.
Vlera e agjërimit të kësaj dite vërehet në kujdesin e të Dërguarit, sal’lallahu alejhi ue selem, siç thotë Ibën Abasi: “Nuk e kam parë Profetin, sal’lallahu alejhi ue selem, duke u kujdesur ta agjërojë ndonjë ditë të dalluar përveç ditës së Ashurasë dhe ditëve të Ramazanit” (Muttefekun alejhi).
Shkakun e këtij kujdesi e ka treguar Pejgamberi, sal’lallahu alejhi ue selem, me fjalët:
( صيام يوم عاشوراء أحتسب على الله أن يُكفّر السنة التي قبله ) رواه أحمد (5/296)، ومسلم (1163).
„Agjërimi i ditës së Ashurasë shpresoj tek Allahu t’i fshijë gjynahet e vitit të shkuar“.
Forma e agjërimit të kësaj dite – siç thotë Ibën Kajimi – janë:
– Të agjërohet vetëm ajo ditë
– një para dhe ajo
– ajo dhe një mbrapa
– ose tri ditë, një para dhe një mbrapa. Me këtë të fundit, njeriu e arrin edhe shpërblimin e agjërimit të tre ditëve brenda muajit.
Kurse sa i përket agjërimit të Ashurasë, forma më e mirë është agjërimi i ditës së nëntë dhe i ditës së dhjetë nga muaji Muharem.

Hutbeja e dytë

Shtatë: Muslimani duhet të ndjehet krenar me atë që ka, të mos ndjekë hapat e të tjerëve as në çështjet e dynjasë nëse ka mundësi për zgjedhje tjetër.
Pse u bë kalendari Hixhri? Kalendari Hixhri u bë me të vetmin qëllim: njohja e kohës. Atë e bëri Omeri radijallahu anhu, kur u zgjerua kalifati gjatë kohës së tij dhe filluan t’i vijnë letra pa datë, prandaj kishte nevojë të vejë një kalendar me çka do të shënohen letrat dhe shkrimet. Për këtë i konsultoi sahabet dhe ata i dhanë mendimin që Shpërnguljen (Hixhretin) ta bëjnë fillim të kalendarit Hixhri. Nuk e deshën kalendarin gregorian edhe pse ishte i pranishëm atëbotë.

Omer Berisha