Ajetet kuranore per zbukurim
Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë
Subjekti: Përdorimi i ajeteve kuranore dhe dhikreve për zbukurim, në mjetet moderne të komunikacionit dhe shitja e tyre.
Lavdia i takon Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin për Profetin tonë Muhamed, pas të cilit nuk ka profet tjetër, për familjen dhe shokët e tij.
Asambleja e Akademisë së Fikhut Islam me qendër në Mekë, që zhvillon aktivitetin e tij nën kujdesin e Organizatës së Ligës së Botës Islame, në sesionin e saj të nëntëmbëdhjetë të zhvilluar në Mekën e Nderuar, në periudhën ndërmjet 22-27 Sheval 1428 h. / 3-8 – Nëntor 2007 shqyrtoi kërkesën për fetva të ardhur nga Shoqëria “SABEC” në lidhje me shitjen e ajeteve kuranore në formën e dekorit. Pas dëgjimit të studimeve të paraqitura dhe diskutimeve nga ana e anëtarëve për këtë çështje theksoi se:
Është e domosdoshme që të madhërohet Libri i Allahut dhe udhëzimet e tij, t’i përmbahemi synimeve të tij, sepse Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kuranin për të shërbyer si këshillë dhe mësim, për të mjekuar zemrat e njerëzve, që ata ta zbatojnë atë në të gjitha çështjet e jetës së tyre, që ta lexojnë atë me vëmendje dhe për të përkujtuar Allahun, për të udhëzuar me të në çdo situatë të tyre dhe që ta zbatojnë kurdoherë.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz! Ju ka ardhur një këshillë prej Zotit tuaj, një mjekim për zemrat në gjokset tuaja dhe një udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”
“Ne zbresim nga Kurani gjithçka është shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa të padrejtëve ai u shton vetëm humbje.”
“Thuaj se për ata që besuan ai është udhëzim dhe shërim, ndërsa ata që nuk besuan në veshët e tyre kanë shurdhim dhe për ta ai është verbërim. Të tillët thërrasin nga një vend i largët.”
“Ai është një libër i begatë që ta kemi zbritur ty, në mënyrë që të meditojnë në argumentet e Tij dhe që njerëzit e mendjes të marrin mësim.”
Këshilli konfirmon se muslimanët e kanë për detyrë që t’ia njohin librit të Allahut pozitën që ai meriton dhe ta vlerësojnë atë ashtu siç i takon të vlerësohet, të kenë parasysh synimet e shpallura prej tij, të marrin shembull të ndritur prej tij dhe prej traditës së Profetit (alejhi salatu ue selam), në mënyrë që të udhëzohen. Këshilli i përkujton muslimanët që të bëjnë detyrën e tyre karshi ajeteve kuranore, duke i respektuar ato dhe duke i ruajtur nga çdo lloj forme poshtërimi apo talljeje. Për këtë arsye ka vendosur sa vijon:
Së pari:
Lejohet shkrimi i ajeteve kuranore dhe zbukurimi i tyre, si dhe përdorimi i tyre për një qëllim të ligjshëm, si p.sh. nëse shërbejnë si mjete për të sqaruar mësimin e Kuranit apo për t’ua mësuar të tjerëve atë, apo për përkujtim dhe këshillë sipas rregullave të mëposhtëm:
1- Tabelat mbi të cilat është shkruar Kurani të trajtohen si të ishin Kuran, për sa i përket prodhimit dhe transportit. Kjo bën të detyrueshme plotësimin e procedurave që sigurojnë respektin ndaj ajeteve kuranore dhe mbrojtjen e tyre nga përçmimi.
2- Mos neglizhimi i fjalëve dhe shprehjeve kuranore dhe devijimi i kuptimit të tyre nga kuptimi i tyre fetar dhe mos nxjerrja e tyre nga konteksti.
3- Të mos prodhohen nga lëndë të pista që janë të ndaluara të përdoren.
4- Mos tallja me to, duke prerë shkronjat dhe duke i futur fjalët tek njëra tjetra, dhe mos-teprimi në zbukurimin e tyre deri në atë masë sa të jetë e vështirë që të lexohen.
5- Të mos bëhen në formën e një frymori, si p.sh. nëse bëhen në formën e një njeriu, zogu apo kafshe çfarëdo, apo në forma të tjera që nuk janë të hijshme për ajetet kuranore.
6- Të mos përdoren për të sajuar nuska mbrojtëse, apo për çdo besim tjetër të kotë, nuk duhet të vendosen as në prodhime mallrash banale dhe as për t’i bërë marketing mallrave në mënyrë që të joshen njerëzit.
Së dyti:
Nuk ka asgjë të keqe nëse ato shiten dhe blihen nëse plotësojnë normat e lartpërmendura.
Nuk lejohet përdorim i ajeteve kuranore si zile apo alarm në telefonat celular apo në telefonat e ngjashme me ta, për shkak se përdormi i ajeteve në të tilla raste e ekspozojnë Kuranin ndaj përçmimit apo nënvleftësimit, duke e ndërprerë leximin apo duke e nënvleftësuar atë, si dhe për shkak se këto ajete mund të lexohen në situata dhe ambiente që nuk u shkojnë atyre për shtat.
Për sa i përket regjistrimit të Kuranit në telefona për ta dëgjuar atë prej tij, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi kjo ndihmon në përhapjen e Kuranit, dëgjimin dhe meditimit rreth tij. Me dëgjimin e tij në këto raste ka shpërblime, ka përkujtim, mësim dhe përhapje të tij në mesin e muslimanëve.
Këshilli këshillon të gjitha organet përgjegjëse në vendet islame, që të tregojnë kujdes në kontrollin e prodhimit të tabelave kuranore, për të siguruar mos e rregullave si dhe të ndalojnë importimin e tabelave kuranore, nga vende dhe organe të cilat nuk i respektojnë ajetet famëlarta, që gjenden nëpër këto tabela.
Allahu i përket mbështetja, paqja dhe Bekimi i Allahut qoftë për Profetin tonë Muhamed, për familjen dhe shokët e tij.