Gusli, larja e plotë e trupit

 dushiFjala gusl në gjuhën arabe do të thotë pastrim, larje, kurse në terminologjinë e sheriatit do të thotë “përshkimi ose përgjithësimi i trupit me ujë”.
Gusli (pastrimi) është i vërtetuar me Kuran. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse jeni xhunubë (të papastër), merrni gusl (pastrohuni).”1

Kur është vaxhib larja
Gusli është i domosdoshëm në këto raste:
1– Dalja e spermës në gjumë apo duke qenë zgjuar, ngase Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Duhet larë kur të dalë sperma.”2
Kurse, Ummu Seleme radijallahu anha tregon se Ummu Sulejme radijallahu anha ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, me të vërtetë Allahu nuk turpërohet prej së vërtetës. A thua vallë gruaja duhet larë kur të ëndërrojë?” Muhamedi salallahu alejhi ue selem tha: “Po, nëse sheh ujë (gjurmë).”3
Në këtë nuk ka pajtim te dijetarët, por janë disa situata përkitazi me daljen e spermës të cilat duhen sqaruar më konkretisht:
a) Nëse sperma del pa epsh, por për shkak të sëmundjes (si ftohja) ose ndonjë çrregullim, atëherë nuk është i detyruar gusli, pasi kushtëzohet që sperma të dalë me epsh, pastaj të dalë me vrull dhe që njeriu pas kësaj të ndiejë lodhje dhe molisje.
b) Nëse sheh ëndërr, por nuk i kujtohet se ka pasur orgazëm dhe nuk sheh lagështirë ose shenja në rroba, atëherë nuk është i obliguar gusli. Ibën Mundhiri në këtë përcjell konsensus (ixhma). Gjithashtu, në këtë aludon edhe hadithi i sipërpërmendur i Umi Selemes: “... Po (duhet të pastrohet gruaja), nëse sheh ujë (gjurmë).”4
c) Nëse zgjohet dhe sheh lagështirë, por nuk i kujtohet se ka parë ëndërr, atëherë janë tri mundësi:
-nëse vërtetohet se uji është spermë, merr gusl, pasi është më se e mundur që kjo të ndodhë për shkak të orgazmës e jo të ndonjë shkaku tjetër;
-nëse vërtetohet se nuk është spermë, por diçka tjetër (urinë apo medhiu), atëherë nuk lahet, por i mjafton ta pastrojë vendin dhe rrobat e të marrë abdest;
-nëse nuk e vërteton as njërën e as tjetrën, atëherë është më e drejtë të pastrohet, edhe pse Muxhahidi dhe Katade kanë thënë se nuk është obligativ për të gusli.5
2- Kontakti seksual, edhe pse nuk ka ejakulim. Ebu Hurejra radijallahu anhu thotë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur ndokush ulet në mes të katër gjymtyrëve dhe kryen aktin seksual, është bërë larja e obliguar, edhe pse nuk ka ejakulim.”6
Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të takohen dy sunetimet7, obligohet larja.”8
Mirëpo këtu duhet ta kemi të qartë se vetëm prekja e dy organeve nuk detyron larjen, por kushtëzohet që organi i mashkullit të depërtojë në organin e femrës për të qenë i detyruar gusli dhe kjo është me konsensusin (ixhmanë) e të gjithë ulemave dhe kështu është komentuar hadithi i mësipërm.
3- Ndërprerja e menstruacioneve: Aishja radijallahu anhu thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem i ka thënë bijës së Hubejshit: “Kur të vijë menstruacioni, lëre namazin e kur të dalësh nga ajo gjendje, lahu dhe falu.”9
4- Pas lehonisë dhe kjo është sikurse menstruacionet. Në këtë bazohemi në ixhmanë e dijetarëve islamë.
Për këto katër raste fukahatë (juristët islamë) në përgjithësi janë të pajtimit se është i obliguar gusli. Ekzistojnë edhe dy raste të tjera, ku disa dijetarë kanë thënë se gusli është obligativ:
1. Vdekja: Disa dijetarë kanë thënë se kur njeriu vdes, para varrimit është obligim të pastrohet, duke argumentuar se Resulullahu, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, i urdhëroi shokët e tij ta pastrojnë personin i cili kishte vdekur në haxh, pastaj edhe rasti kur i urdhëroi disa gra që pastronin bijën e tij salallahu alejhi ue selem, që ta pastrojnë atë tre, pesë, apo shtatë herë.10
E sakta është se vdekja është shkak që detyron guslin, por detyrimi në këtë rast kthehet te të gjallët, sepse i vdekuri nuk ka detyrime prej çastit të vdekjes së tij, por të gjallët e kanë detyrim që t`i lajnë të vdekurit e tyre, pasi Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka urdhëruar kështu.
2. Islami: Kur njeriu e pranon Islamin dhe bëhet musliman, disa nga dijetarët kanë thënë se ai e ka obligim të pastrohet duke argumentuar me hadithin e Kajs Ibën Amirit, se Resulullahu, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e urdhëroi atë të pastrohet, pasi e pranoi Islamin.11
Disa të tjerë kanë thënë se nuk është obligim, por është sunet, duke sqaruar se nuk ka ndonjë urdhër të përgjithshëm në këtë, pasi shumë nga sahabët e pranonin Islamin dhe nuk i urdhëronte i Dërguari, paqja bekimi i Allahut dhe qofshin mbi të, të merrnin gusl. Sido që të jetë, në këtë rast ka mospajtim te dijetarë dhe dispozita sillet rreth obligueshmërisë apo se ajo është e preferuar. Allahu e di më së miri.

Kur është mustehab larja
1- Larja në ditën e xhumasë, për të cilën disa nga ulematë kanë thënë se është vaxhib dhe sjellin argumente, por e sakta është të thuhet se larja ditën e xhuma është sunet i fortë (sune muekede) dhe nuk është mirë të lihet, posaçërisht të bëhet praktikë lënia e saj.
2- Larja pas çdo akti seksual. Ebu Rafiu transmeton se një natë Resulullahu salallahu alejhi ue selem i vizitoi të gjitha gratë e ti dhe lahej pas çdo akti. I thashë: “O i Dërguar i Allahut, përse nuk lahesh në fund një herë?” Ai salallahu alejhi ue selem tha: “Kështu është më mirë dhe më pastër.”12
3- Larja pas alivanosjes. Aishja radijallahu anha thotë: “Kur u sëmur Resulullahu salallahu alejhi ue selem, pyeti: “A janë falur njerëzit?” I thamë: “Jo, po të presin ty, o Resulullah”, e ai salallahu alejhi ue selem tha: “Mbusheni kovën me ujë.” Aishja radijallahu anha tha: “Ia mbushëm kovën me ujë, e ai salallahu alejhi ue selem u la dhe shkoi për t’u falur, mirëpo u alivanos. Kur erdhi në vete, tha: “A janë falur njerëzit?” I thanë: “Jo, po të presin ty, o Resulullah.” E Muhamedi salallahu alejhi ue selem tha: “Ma mbushni një kovë me ujë.” E ne ia mbushëm, u la Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe shkoi që të falet, por sërish u alivanos. E, kur erdhi në vete tha: “A janë falur njerëzit?” I thanë: “Jo, po të presin ty o Resulullah”, e pastaj tha që Ebu Bekri të dalë imam.”13
4- Larja për dy Bajramet dhe në ditën e Arafatit. Transmeton Shafiu radijallahu anhu nga Zadhani, i cili thotë: “Një njeri e pyeti Aliun radijallahu anhu për larjen dhe ai i tha: “Lahu për çdo ditë, nëse ke mundësi”, e ai i tha: “Jo, po të pyes për larjen që është larje”, e Aliu radijallahu anhu i tha: “Ditën e Xhumasë, ditën e Arafatit, ditën e Bajramit të Kurbanit dhe të Fitër Bajramit.”
5– Larja për atë që lan të vdekurin. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Kush të lajë xhenazen, le të lahet.”14
6- Larja para veshjes së ihramit për haxh ose umre. Zejd Ibn Thabiti radijallahu anhu thotë: “E kam parë Resulullahun salallahu alejhi ue selem duke i hequr të gjitha rrobat për të veshur ihramin dhe u la.”15
7- Larja për të hyrë në Mekë. Abdullah Ibn Umeri radijallahu anhu asnjëherë nuk ka hyrë në Mekë e të mos jetë ndalur në Dhu-Tuva, derisa e takonte mëngjesi. Lahej e pastaj hynte në Mekë dhe thoshte: “Kështu ka vepruar Resulullahu salallahu alejhi ue selem.”16
8– Larja në ditën e Arafatit, duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur të Aliut radijallahu anhu.

Kushtet e larjes
-Nijeti, duke u mbështetur në hadithin e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem: “Çdo vepër vlerësohet sipas nijetit.”
-Larja e trupit në tërësi, duke futur këtu edhe gojën dhe hundën.

Forma e larjes
Aishja radijallahu anhu thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem, kur lahej nga xhunubllëku, fillonte me larjen e duarve, pastaj merrte ujë me dorën e djathtë dhe gjuante në të majtën, pastaj lante organin, pastaj merrte abdest si për namaz, pastaj merrte ujë dhe e hidhte në kokë duke futur gishtat në rrënjët e flokëve. E, kur e shihte se e kishte fërkuar tërë kokën, hidhte tre grushte ujë në kokë, pastaj hidhte në tërë trupin e pastaj e lante tërë trupin.”17

Pastrimi i femrës
Kur gruaja lahet nga xhunubllëku, nuk detyrohet t’i zgjidhë gërshetat e flokëve, por kur të lahet nga menstruacioni, obligohet t’i zgjidhë. Ummu Seleme radijallahu anha thotë: “O i Dërguar i Allahut, unë i bëj flokët gërshet, kurse kur lahem nga xhunubllëku i zgjidh.” Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Jo, s’ka nevojë, të mjaftojnë tre grushte ujë e pastaj të lash krejt trupin dhe kështu pastrohesh.”18
Aishja radijallahu anhu thotë se Esmaja e ka pyetur Resulullahun salallahu alejhi ue selem për larjen pas menstruacioneve dhe ai ka thënë: “Merr ujë dhe sidër, pastaj merr abdest mirë, pastaj hidh ujë në kokë dhe fërkoje mirë, derisa të arrijë deri tek rrënjët e flokëve e pastaj hidh ujë mbi to, pastaj merre një leckë të parfumuar dhe pastrohu me të.” Esmaja tha: “Si të pastrohem me të?” I Dërguari salallahu alejhi ue selem tha: “Subhanallah, pastrohu me të.” Aishja radijallahu anha tha: “Sikur (ajo) të fshehë këtë, e ai salallahu alejhi ue selem pastaj tha: “Pastroje me të gjakun, ku ka dalë (gjurmët).”
E unë (Aishja) e pyeta për xhunubllëkun dhe ai më tha: “Le të marrë ujë dhe le të marrë mirë abdest, pastaj hedh ujë mbi kokë derisa të arrijë uji në rrënjët e flokëve, pastaj i hedh ujë tërë trupit.”19
Ky hadith njëherazi qartëson edhe dallimin mes larjes së gruas e cila lahet pas menstruacionit dhe asaj që lahet nga xhunubllëku. Ajo që lahet nga menstruacionet duhet të fërkohet dhe të pastrohet më tepër sesa ajo që lahet nga xhunubllëku e gjithashtu duhet që t’i zgjidhë gërshetat. Në esencë, duhen zgjidhur gërshetat për të arritur uji në rrënjët e flokëve, mirëpo sheriati ua ka lehtësuar grave, ngase larja nga xhunubllëku ndodh më shpesh dhe me këtë shkakton vështirësi, që nuk ndodh me rastin e menstruacioneve, që u vijnë një herë në muaj.20

Shënim:
Lejohet që burrë e grua të lahen së bashku në një vend dhe të shikojnë auretin e njëri-tjetrit, duke u bazuar në thënien e Aishes radijallahu anha: “Lahesha me Resulullahun salallahu alejhi ue selem prej një ene duke qenë xhunubë (që të dy).”21

Çfarë i ndalohet xhunubit
Xhunub është gjendja pas orgazmës gjatë marrëdhënieve seksuale, qoftë për mashkullin apo femrën. Në këtë rast personit në fjalë i ndalohen disa gjëra:

1. Namazi
2. Tavafi rreth Qabes
3. Prekja e Mus`hafit

Ndalimi këtyre gjërave është me pajtueshmërinë e katër imamëve dhe në këtë kanë kundërshtuar vetëm Dhahiritë sa i përket prekjes së mus`hafit, por e drejta është në anën e shumicës, pasi me këtë madhërohet fjala e Allahut të Lartësuar.

4. Leximi i Kuranit
Në këtë ka komente nga ulematë, por, duke mos u zgjeruar, themi se sa i përket leximit të Kuranit për xhunubin, nëse me lexim ka për qëllim kryerjen e adhurimit të njohur (pra të ulet dhe të lexojë Kuran), është i ndaluar. Ky qëndrim është zgjedhur nga një numër i madh i ulemave dhe duket të jetë më i qëlluari. Mirëpo nëse xhunubi përmend ndonjë pjesë të ajetit si lutje, atëherë lejohet të thotë p.sh. Bismilah, Elhamdulilah, Subhanallah... etj., kur është në situata ku thuhen këto lutje. Allahu e di më së miri!

5. Qëndrimi në xhami
Kështu kanë thënë shumica e ulemave, por, duke i pasur parasysh të gjitha transmetimet në lidhje me këtë, themi se nëse qëndrimi është i detyruar, atëherë lejohet, pasi transmetohet se një grup sahabësh të rinj banonin në xhami dhe është e mundur që ata të bëheshin xhunubë gjatë fjetjes. Allahu e di më së miri.

 

 


Alaudin Abazi
28.9.2007

 

 

1 Suretu Maide, 6.
2 Shënon Muslimi.
3 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
4 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
5 Shejhu Muhamed Salih Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, rreth mundësisë së  tretë ka thënë se në qoftë se ka pasur ngacmim seksual para gjumit, atëherë nuk ka nevojë të pastrohet, pasi ajo është medhiu, i cili del për shkak të ngacmimit. Kurse nëse nuk ka pasur ngacmim, atëherë do të ishte më e drejtë të lahet, pasi ajo është më se e mundur të jetë spermë, pasi medhiu nuk del pa ngacmim paraprak. “Sherhul Mumti” vëll.1, f. 336.
6 Shënon Muslimi.
7 Dy organet seksuale.
8 Shënon Ahmedi dhe të tjerët hadithi është i saktë.
9 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
10 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
11 Shënon Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ahmedi dhe Shejh Albani e cilëson hadithin si të saktë. 
12 Shënon Ibn Maxheh dhe Davudi.
13 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
14 Shënon Ibn Maxhe.
15 Shënon Tirmidhiu.
16 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
17 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
18 Shënon Muslimi.
19 Shënon Muslimi
20 “Tehdhib Suneni Ebi Davud”, të Ibn Kajjimit, 1/166-167.
21 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Top