Kurban Bajrami 2013 dhe shqiptarët në Linz

kbajrami2013Qyteti i Linzit është qyteti më i madh në Austrinë e Epërme dhe shqiptarët këtu përbëjnë një numër të konsiderueshëm, diku mbi 2500 familje. Vite më parë, kur shqiptarët nuk kishin asnjë xhami që organizonte jetën fetare islame, festat e Bajramit kalonin ndoshta dhe pa i vënë re; por përgjatë viteve të fundit ata kanë bërë dy subjekte që funksionojnë si xhami të kompletuara që për besimtarët e këtushëm u bënë vende për adhurim, për mësim, për njoftim të njëri-tjetrit dhe për çmallje me njerëzit e gjakut. Vërtetësia e kësaj, doli në pah qartësisht në këtë Kurban Bajram (2013) kur dy institucionet fetare: xhamia Bashkimi dhe xhamia Bujaria vendosën që bashkërisht të falin namazin e Bajramit, duke jetësuar kësisoj disa ndër simbolikat më të mëdha të festës së Bajramit, e që janë: falja e namazit të bajramit me sa më shumë xhemat, përafrimi dhe shtimi i dashurisë me njëri-tjetrin, theksi për prezencën islame në këtë qytet e kështu me radhë.

Pas suksesit që dha Allahu, kjo u arrit edhe nëpërmjet programit të përgatitur enkas për këtë ditë, ku patëm rastin të dëgjojmë lexime të bukura nga Kurani, recitale në gjuhën shqipe dhe fjalime domethënëse. “Vepra mund të bëjmë shumë, por hairin mund t’ia shohim vetëm nëse ato i bëjmë për Allah” ishte një ndër fjalitë e hoxhës Menderes Alili, me të cilat theksonte rëndësinë e sinqeritetit. Kurse, hoxha Omer Berisha në fjalimin e tij, tërhoqi një paralele duke thënë: “Nëse keni mundur që në këto orë të hershme ta detyroni veten tuaj të vini dhe të faleni këtu, atëherë ju tashmë jeni duke komanduar veten tuaj, mos lejoni pra, që epshi t’ju komandojë ditëve të tjera”. Kësaj radhe, megjithëse ishte ditë pune në këtë vend u tubuan afër 2000 besimtarë, kurse herave tjera shpresojmë që një tubim i atillë të jetë dhe më i madh, duke u falur të gjithë muslimanët e këtij qyteti së bashku në një vend, sepse Allahu ka thënë: “Me të vërtetë, vetëm besimtarët janë vëllezër!”

Top