PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

GRATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

MuhamedMe ecjen pas gjurmëve të grave më të mira që jetuan në kohën më të mirë, dhe në periudhën më të mirë, dhe u edukuan në shtëpinë më të  mirë, shtëpinë e profecisë, gruaja muslimane është  gruaja më e lumtur në mesin e grave tjera. Allahu grave që jetuan në shtëpinë e profecisë ua ngriti pozitat, dhe ua rriti vlerën, dhe zbriti ajete në Kuran me lavdërimin e tyre. Allahu tha: O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse I frikësoheni Allahut”. Ahzab 32. Ishin bashkëshorte të bekuara dhe gra madhështore!

E para nga ato ishte Hadixhe bint Huvejlid, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo. Një grua e mençur, mendjemprehtë, me fe e me moral dhe me prejardhje të mirë. U rrit duke u pajisur me cilësi të moralit të mirë dhe duke u edukuar me edukatë të lartë. U përshkrua me ndershmëri dhe me turp, dhe thirrej në mesin e grave të Mekës si e “Pastërta”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e martoi dhe ishte me te vërtetë grua e bereqetshme për të. E strehoi me veten e saj dhe me pasurinë e saj dhe me mendjemprehtësinë e saj.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur pikëllohej strehoj tek ajo dhe ia rrëfente brengat e veta. Në fillim kur zbriti shpallja u kthye te ajo, me zemër të frikësuar nga ajo që e pa, dhe i tha: Kam frikë se do të më ndodhë gjë.” Ndërsa Hadixhja i tha: “Kurrë! (Betohem) për Allah! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti, me të vërtetë, mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe i mban të këputurit, i pret mirë miqtë dhe u gjendesh pranë nevojtarëve në fatkeqësi”.

Ishte e para që besoi nga ky umet! Ibën Ethiri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadixhja ishte krijesa e parë e Allahut, që u bë muslimane, dhe në këtë janë unik të gjithë muslimanët. Para saj nuk kishte as burrë e as grua që ishin muslimanë”.

Kur ju shtuan vështirësitë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në fillim të thirrjes së tij dhe ju shtuan dhembjet, ajo ishte me të zemërbutë dhe e vendosur. Çdo herë kur dëgjonte nga njerëzit diçka të keqe, kthehej tek ajo, dhe ajo e qetësonte dhe e përforconte. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: Besoi tek unë kur të tjerët më mohuan, pohonte se ç’thoja kur të tjerët më lanë në baltë, më ndihmoi me pasurinë e saj dhe Zoti caktoi të kisha me të fëmijë.

Grua madhështore dhe respektuese e burrit të saj dhe nënë e dashur. Të gjithë fëmijët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishin nga ajo, përveç Ibrahimit. Edukata e saj ishte e lartë dhe morali i saj madhështor. Asnjë ditë na ditët nuk e ngriti zërin ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e dëmtoi në asnjë lloj mënyre!  I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: “Më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më tha: Përgëzoje me Xhenet ku nuk do të ketë as zhurmë e as ushtimë!”.

Suhejlij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E përgëzoi me shpi në Xhenet sepse ajo nuk e kishte ngritur zërin e saj ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e kishte munduar asnjë ditë nga ditët, dhe nuk i kishte bërtitur dhe asnjëherë nuk e kishte dëmtuar”.

Ishte e dashur tek Zoti i saj. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: “Xhibrili më tha: Nëse vjen Hatixheja dërgoji selam nga Zoti i saj dhe nga unë”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo është nder që nuk i është dhënë ndonjë gruas tjetër.

Allahu e donte dhe e donin melekët dhe e donte i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thoshte: “Më është dhuruar dashuria e saj”

Kur e përmendte e lartësonte emrin e saj dhe e falënderonte shoqërimin e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk ndalej nga të lavdëruarit e saj dhe të kërkuarit falje për të.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e harronte dashurinë e saj dhe sakrificën e saj, dhe pas vdekjes së saj ishte bujar me shoqet e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thoshte se kur therte dele, i copëtonte pjesët e saj, e pastaj ia dërgonte shoqeve të saj. Unë i thosha sikur se të mos ketë grua tjetër në dynja, përveç Hadixhes, e ai ma kthente: “Ajo ishte dhe ishte, dhe fëmijët i kisha me të”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi zërin e motrës së saj pas vdekjes së saj, dhe u mërzit tepër dhe tha: “Ma rikujtoi Hadixhen”.

Ishte e përsosur në fenë e saj dhe në mendjen e saj dhe në moralin e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse tri:”Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bint Imran dhe Hadixhja  bint Huvejlid”..

Ia tejkaloi grave të këtij umeti në meritë. I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gruaja më e mirë e kohës së saj është Mejrem bint Imrani, kurse gruaja më e mirë e kësaj kohe është Hadixhe bint Huvejlidi”.

E përmirësoi veten dhe e përmirësoi shtëpinë e saj dhe erdhi edhe fryti i mundit të saj. Ajo dhe vajza e saj janë ndër gratë më të mira të botëve në Xhenet. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Gratë më autoritative në Xhenet janë Merjemi, nëna e Isait, alejhi selam, Fatimja, bija e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Hadixhja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, dhe Asija, gruaja e Faraonit”.

Ishte madhështore në zemrën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Nuk e martoi asnjë grua tjetër para saj, dhe deri sa ishte me të nuk martoi grua tjetër dhe u mërzit tepër kur ndërroi jetë. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte grua e mençur, madhështore, me fe të pastër, e ndershme, fisnike nga banorët e Xhenetit”.

Në shtëpinë e drejtësisë dhe devotshmërisë lindi Aisha e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. U rrit në një shtëpi ku dominonte imani dhe feja. Nëna e saj ishte sahabeshë, motra e saj ishte Esmaja sahabeshë, dhe vëllai i saj ishte sahabij, kurse prindi i saj ishte “i sinqerti” i këtij umeti. U rrit me një shtëpi ku dominonte dituria. Prindi i saj ishte dijetari i Kurejshëve dhe ishte njohësi më i mirë i gjenealogjisë së tyre. Allahu i kishte dhuruar mençuri dhe mundësi për të nxënë përmendësh. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka pasur nëpër umete si Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, në nxënie përmendësh, dhe në dituri, dhe oratori dhe mençuri”.

Ia tejkaloi grave me dituri dhe urtësi, dhe ju dhurua të kuptuarit e thellë të fesë dhe të nxëniesh përmendësh të poezive. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Aisha ishte gruaja më e ditur e umetit, dhe nuk di grua, jo vetëm se në umetin Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po në përgjithësi, më të ditur se sa ajo”.

Ia tejkaloi grave me meritat e saj dhe me shoqërimin e saj të mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Aisha është superiore ndaj grave tjera sikurqë tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve tjera”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e donte shumë. Amru ibën As, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush nga njerëzit është më i dashur tek  ti?! U përgjigj: “Aishen”. Amru ibën Asi i tha edhe një herë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?” . Iu përgjigj: “Babën e saj, Ebu Bekrin!”. 

Nuk martoi beqaresh nga gratë përveç se atë. Ishte e ndershme, adhuruese, nuk dilte nga shtëpia e saj përveç se natën që mos ta shohin burrat, Thotë për vetveten e saj: “Nuk dilnim përveç se natën”. Kështu e realizonin dhe e nxjerrin në vepër fjalën e Allahut: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes”. Ahzab 33.

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Sheriati urdhëron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, dhe të ruajnë veten e tyre dhe mos të dalin nga to përveç se kur kanë nevojë. Dhe nëse kanë nevojë për të dalë jashtë  le të mbulohen plotësisht”.

Allahu e sprovon atë që e donë dhe sprova vjen sipas imanit të robit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, u sprovua me shpifje në nderin e saj. Ajo vet thotë: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk m’u ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa mu duk se nga e qara do të më plaste mëlçia”.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu xhelozoi për të. E shfajësoi në dhjetë ajetet që do të lexohen deri Ditën e Kiametit, dhe ia ngriti çështjen e saj, dhe ia mbrojti nderin e saj, dhe dëshmoi se është nga të ndershmet dhe i premtoi falje dhe furnizim të bollshëm”.

I shërbeu të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e shoqëroi atë derisa ndërroi jetë në shtëpinë e saj dhe në natën e saj dhe në prehrin e saj.

Seudah bint Zumah, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ishte gruaja që e martoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së Hatixhes. Ishte grua me zemër të pastër, e ndershme dhe bujare. Nga dashuria që e ndjente ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ia dhuroi natën e saj Aishes, duke shpresuar për këtë vepër shpërblim tek Allahu.

Hafsa, e bija Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, ishte gruaja tjetër që e martoi i Dërguari i Allahut, paqja  dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të. Njihej si grua që e adhuron Allahun tepër dhe u rrit në shtëpi ku dominonte feja dhe e vërteta. Shtatë anëtarë nga familja e saj ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, për të thoshte: “Hafsa ishte ajo që më konkurronte nga gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

Zejneb bint Huzejme el Hilalijeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, e njohur si dorëdhënëse e  madhe dhe si e shpejtë në adhurime. Jetoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vetëm se dy muaj dhe pastaj ndërroi jetë.

Remleh bint Ebu Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila njihej me emrin Ummu Habibeh. Njihej me durimin e saj dhe ishte nga të gjitha gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më afër tij me prejardhje. Dallohej nga gratë e tjera për ka lëmosha, jepte më shumti se sa të tjerat.

Hind bint Ebu Umujes, e njohur me emrin Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo. Ishte  nga gratë e para që emigroi për në Medine, mirëpo kur deshi të niset me burrin e saj Ebu Seleme, populli i saj i ndau Ummu Selemen dhe burrin e saj dhe fëmijën e saj. Thotë: Për çdo ditë dilja dhe ulesha me një luginë dhe qaja, dhe kështu vazhdova për një vjet apo afër një viti, derisa ju erdh keq për mua dhe ma kthyen fëmijën.

Bindja e saj në Allahun ishte e madhe. Burri i saj i ndërroi jetë dhe ajo u mërzit tepër. Iu drejtua Zotit të saj me një lutje profetike dhe Allahu ia zëvendësoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për burrë. Thotë e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Çdo person, të cilin e godet një fatkeqësi dhe thotë: “Të Allahut jemi dhe etëm tek Ai do të  kthehemi. O Zot më jeep shpërblim nga fatkeqësia që më ka rënë dhe ma zëvendëso këtë (fatkeqësi) me një më të mirë”, padyshim Allahu ka për ta shpërblyer dhe ka për t’ia zëvendësuar me një më të mirë se ajo”. Dhe kur ndërroi jetë Ebu Seleme thashë në vete se ku ka musliman më të mirë se sa Ebu Seleme, i cili ishte prej të parëve që emigroi për te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Pastaj e bëra atë lutje dhe Allahu ma mundësoi të martohem për të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Pra ruaje këtë dua dhe thuaje kur të sprovohesh me qëllim që Allahu ta zëvendëson me diçka më të mirë!

Zejneb bint Xhehsh, që njihej si nëna e të mjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të. E martoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me citat prej Kuranit prej anës së Allahut, pa përgjegjës dhe pa dëshmitarë. Allahu tha: E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte”. Ahzab 37. Martesa e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është e  bekuar për gratë muslimane deri Ditën e Kiametit, sepse pasi që e martoi u detyrua hixhabi për të gjitha bijat e Havës, që të jetë mbrojtje për nderin e tyre dhe dëlirësi për shpirtrat e tyre!

Ishte bujare ndaj të varfërve dhe të mjerëve, jepte shumë lëmoshë dhe ishte bamirëse. Edhe përskaj pozitës së lartë që e kishte, ajo vet punonte dhe  jepte lëmoshë nga përfitimi i saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaur nga ajo, thoshte: Nuk kam parë grua më të mirë në fe se Zejnebi. I frikohej shumë Allahut dhe ishte e sinqertë në fjalimin e saj, e vizitonte shumë farefisin dhe jepte shumë lëmoshë!

Xhuvejrije bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, nga fisi Beni Mustalik. Ishte adhuruese  e madhe e Allahut. Prindi i saj ishte zotëri që respektohej në fisin e vet, kurse ajo ishte e bekuar në veten e saj dhe për familjen e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaur me të, për të thotë se nuk kam parë grua më të bekuar për popullin e saj se sa Xhuvejrija!

Ajo ishte që e adhuronte Allahun tepër, ulej në faltoren e saj dhe e përmendte Allahun deri në drekë. Ajo thotë se një ditë më erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e unë isha duke bërë dhikër, e pastaj shkoi për nevojat e veta, dhe më vonë u kthye afër drekës dhe tha: “Ende vazhdon të jesh ulur”, dmth. ende vazhdon ta përmendsh Allahun. I thash: Po!

Safije bint Hujej, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ishte prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam. Ishte e ndershme, e mençur, mendjemprehtë dhe me fe dhe me pozitë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Ti je bija e Pejgamberit (qëllimi është je prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam), dhe mixha i jot ka qenë Pejgamber (Musa, alejhi selam) dhe ti je martuar me Pejgamber”.

Dasma e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me Safijen ishte shumë e thjeshtë dhe modeste, mirëpo e bereqetshme!

Mejmune bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të. Njihej si grua që e respektonte shumë farefisin dhe ishte nga gratë më madhështore. Allahu i kishte dhuruar zemër të pastër dhe shpirt të mirë dhe ishte e kapur për adhurime. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, për të thotë dallohej nga ne për ka frika ndaj Allahut dhe për ka vizita e farefisit!

O ju musliman, kjo ishte biografia e grave më të ndershme, ë nënave të besimtarëve. Meritat e tyre janë madhështore, dhe gratë e muslimanëve detyrohen t’i marrin ato si shëmbëlltyrë jete, dhe t’i pasojnë ato në fe dhe në moral dhe në respekt, dhe në dhënien e lëmoshës, dhe në bamirësi, dhe në adhurime, dhe në përmbajtjen  e gjuhës, dhe në durim, dhe në kërkim të diturisë, dhe në dëlirësi dhe në nder, nëse donë lumturi.

Gratë e të Dërguarit të Allahut jetuan me të në shtëpi modeste, të ndërtuara me qerpiç dhe me kulm nga fletët e pallmës, mirëpo të mbushura me iman dhe devotshmëri. Ishin durimtare së  bashku me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në varfri dhe skamje. Kishte rast kur një muaj apo dy muaj nuk ndizej zjarri në shtëpinë e tyre. Kishte ditë kur nuk kishin në shtëpitë e tyre përveç se një hurmë, dhe kishte raste kur kalonte një periudhë dhe nuk kishin përveç se ujë pa ushqim. Të gjitha i duronin me bindje dhe shpresë në premtimin e Allahut: “Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë”. Duha 4.

Shpërblimet e tyre janë të dyfishuara: “Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha”. Ahzab 31.

Pesë nga ato i martoi duke qenë ato në moshë mes të dyzetave dhe të gjashtëdhjetave. Me këtë e realizoi përkujdesjen e të vejave dhe të fëmijëve të tyre jetimë. E martoi Hadixhen dhe ajo ishte dyzet vjeçare, dhe ajo i kishte tre fëmijë me burrë tjetër, kurse ai ishte i pamartuar. E martoi Zejnebin dhe ajo ishte e vejë dhe ishte afër të gjashtëdhjetave. E martoi Ummu Selemen dhe ajo ishte e vejë me gjashtë fëmijë, dhe e martoi Seudën dhe ajo ishte e vejë dhe i kishte pesëdhjetë e pesë vite.

Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte burrë i butë, fisnik, bujar, bamirës, i butë  me to dhe i sjellshëm me to. Kush kërkon lumturinë le ta  merr si yrnek Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe çdo grua që kërkon lumturinë le t’i merr si yrnek nënat e besimtarëve në adhurim, në nder,  në devotshmëri dhe në bamirësi.

SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NDËSHKIMI I BESIMTARËVE

ndeshkimPrej traditës së Allahut në njerëzit është që forca të mos vjen vetëm se pas belas, dhe çdo herë që shtohet fatkeqësia, dhe ajo pritet me durim, dhe me kënaqësi, dhe me bindje, aq më afër është fitorja dhe fuqia: Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë: Ne shpëtojmë atë që duam dhe dënimi Ynë nuk zmbrapset nga populli keqbërës”. Jusuf 110.

Sad ibën Ebi Vekas, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush është më i sprovuari? U përgjigj: “Pejgamberët e pastaj ata të mirët pas tyre e pastaj ata pas tyre. Njeriu sprovohet sipas fuqisë së besimit tëë tij”.

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, u pyet se cila është më e mirë për njeriun, të përforcohet apo të sprovohet? U përgjigj: Nuk mundet të përqendrohet pa u sprovuar!

Pasi që kjo është tradita e Allahut në robërit e Tij besimtar, fatkeqësitë dhe sprovat kanë qenë pjesë e pandarë e tyre prej fillimit të thirrjes së Pejgamberëve, dhe do të vazhdojnë deri në ditët e fundit të kësaj dynjaje. Ai që e lexon historinë e popujve, do të sheh se besimtarët janë sprovuar në fenë e tyre, dhe janë imponuar në lënien e tij, dhe janë përqendruar ata që janë përqendruar, dhe janë sprovuar ata që janë srovuar!

Populli i Nuhit, alejhi selam, i thanë atij: Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”.Shuara 116. Dhe po mos t’i kishte shkatërruar Allahu, ata me të vërtetë do ta gurëzonin atë dhe besimtarët me të.

Populli i Ibrahimit, alejhi selam, dhanë urdhër të hidhet ai në zjarr, duke qenë i gjallë: Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: “Vriteni atë ose digjeni!” Por Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet, këtuka shenja të qarta për njerëzit që besojnë”. Ankebut 24.

Luti , alejhi selam, u kërcënua me largim nga vendi dhe dëbim, dhe po të mos shkatërrohej populli i vet, ata do ta realizonin planin e tyre: Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. Shuara 167.

U ndëshkuan besimtarët nga bijtë e Israilit me ndëshkime të rënda nga dora e Faraonit dhe ushtarëve të tij, derisa arrit çështja që t’i thonë Musait, alejhi selam: Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Earaf 129.

E fshihnin besimin e tyre nga ndëshkimi i rreptë i Faraonit, nuk e paraqitnin haptazi namazin e tyre, kurse Allahu na lajmëroi për një burrë nga familja e Faraonit që i besoi Allahut dhe e fshihte imanin e tij: Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!”. Junus 87. Faleshin nëpër shtëpia nga belat dhe ndëshkimet që i përjetonin prej Faraonit dhe ushtarëve të tij.

Faraoni dhe ushtarët e tij përdornin metoda të ndryshme të ndëshkimit. Kur Musa, alejhi selam, me kërkesën e Faraonit i sfidoi magjistarët, dhe atyre iu qartësua e vërteta dhe i besuan Musait, alejhi selam, kurse e mohuan Faraonin, ky i fundit ju tha:: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim”. Taha 71. U përqendruan në fe, ashtu të varur në trungjet e hurmave, derisa e takuan Allahun si dëshmorë, dhe Faraoni ishte i pari i cili ndëshkoi me kryqëzim dhe me prerje të pjesëve të trupit!!

Kur u dërgua Isa, alejhi selam, si Pejgamber te bijtë e Israilit, i besoi një grup dhe një grup tjetër e mohoi. Ky që e mohoi filloi ta dëmton atë palë që besoi dhe tentuan ta vrasin Isën, alejhi selam, mirëpo Allahu e ngriti, kurse ata e morën një që i përngjante shumë Isës, alejhi selam, dhe e kryqëzuan dhe e mbytën pasi që e ndëshkuan!

Allahu na tregoi rastet e besimtarëve që u sprovuan në fenë e tyre duke i djegur me zjarr, të gjallë, kurse ata që i ndëshkonin ndjenin kënaqësi në djegien e tyre: “Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij,duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje”. Buruxh 4-9.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, na lajmëroi se ata kishin hapur gropa dhe kishin ndez në të zjarr dhe i kishin hedhur besimtarët në të duke qenë të gjallë. Gjithashtu na lajmëroi që ia kishin këputur kokat me sharrë, dijetarit dhe këshilltarit të mbretit, kur ata besuan në Allahun dhe e mohuan kufrin, duke i ndarë të dytë në dy pjesë!

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, lajmëroi edhe për lloje tjera të ndëshkimeve të besimtarëve të mëhershëm, dhe tha: “Para jush ka pasur njerëz që i dënonin me krehër të hekurt duke ua fërkuar nëpër trupin e tyre, derisa iu binte mishi në tokë, e kjo nuk ishte shkak për t’u larguar na feja e drejtë. Po ashtu i merrnin dhe me sharrë i pritnin prej kupës së kokës derisa i ndanin në dy pjesë, edhe kjo nuk ishte shkak për t’u larguar nga feja e drejtë…”.

Duket se ndëshkimet e besimtarëve dhe mundimi i tyre për shkak besimit ishte i madh në popujt e mëhershëm, ashtu siç lajmëron Allahu në Kuran: “Sa e sa profetë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan e megjithatë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugën e Allahut, as nuk u dobësuan e as nuk u nënshtruan. Allahu i do të duruarit”. Ali Imran 146.

Muslimanët janë umeti më i lartë, dhe më i mirë, dhe më i hairit! U përfunduan profecitë me të dërguarin e tyre, dhe u përfunduan librat me zbritjen e Kuranit, dhe feja e tyre është e përgjithshme për të gjitha krijesat deri në Ditën e Kiametit! Ky umet është i fortë dhe i ndihmuar, dhe askush nuk mundet ta dëmton këtë fe, edhe pse mundet të dëmton individë nga ithtarët e saj, sepse kjo fe është e ruajtur deri kur të përfundon kjo dynja.

Pasi që ky umet në shumicën e historisë së saj është i përqendrueshëm, dhe feja e saj e dukshme, dhe përfundimi i saj do të jetë me fitore dhe mundje, patjetër është që kësaj qëndrueshmërie t’i del karshi belaja, dhe sprovat, dhe vështirësitë dhe ndëshkimet!

Kjo ishte ajo që i ndodhi të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe shokëve të tij. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, u gjuajt me gurë, mbi kokën e tij ia hedhën zorrët e devesë, ia shtrënguan qafën derisa ishte afër të i merret fryma, rrugës i vendosnin thera dhe ndyrësira, i hyri hekuri në fytyrë, e helmuan, i bën magji, e larguan nga qyteti, e nënçmuan dhe e luftuan, dhe jobesimtarët dhe çifutët dhe hipokritët donin ta vrisnin dhe i bëni kurthe shumë herë!

Edhe shokët e tij u ndëshkuan për Allahun, dhe u munduan shumë rëndë. Jobesimtarët e Mekës i ndëshkonin besimtarët në Meke me uri dhe etje dhe djegie, derisa ua vishnin parzmoret e hekurit dhe i linin në diell. Bilalin, Allahu qoftë i kënaqur me të, e tërhiqnin zvarrë në tokën e nxehtë të Mekës, dhe ia vendonin gurin e madh mbi kraharorin e tij të lakuriqtë. Familja e Jasirit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ranë dëshmorë nga ndëshkimi i madh. Shtatëdhjetë nga sahabët ranë dëshmorë në luftën e Uhudit dhe mbi trupat e tyre ndodhën masakra të llojeve të ndryshme, dhe shumë e shumë raste të tjera!

Kur u dobësuan muslimanët dhe u mbisunduan nga të krishterët në fund të shekullit të pestë të hixhretit, u ndëshkoheshin me ndëshkime të rënda, dhe i masakronin rëndë, e vritnin kënd mbërrinin, shtatzënave ua nxjerrin fëmijët prej barqeve, kokat e fëmijëve i pritnin me qëllim, dhe të gjallët i merrnin i hidhnin nga malet e larta!!

Kur Tatarët i sulmuan tokat e muslimanëve, dhe e morën Bagdadin në shekullin e shtatë, i torturuan muslimanët me tortura të ndryshme.

Kur Endelusi ra në duart e të krishterëve në fund të shekullit të nëntë, i përdorën metodat më të këqija në ndëshkimin e muslimanëve, metoda që deri atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin përdorë më parë asnjëherë. Deri më sot plot nga muzetë evropiane i ruajnë plot nga ato mjete që i ndëshkonin me to muslimanët!

E gjithë kjo sprovë dhe ndëshkim për çfarë?! E tëra kjo për t’i penguar njerëzit nga Islami, mirëpo kjo jo që i ndaloi muslimanët, po e shtoi numrin e tyre edhe më tepër, dhe u dha stabilitet dhe përqendrueshmëri: “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë”. Bekare 217.

Edhe pse muslimanët si umet janë të fundit, mbi ta u përdorën të gjitha metodat dhe mjetet e ndëshkimit, të vjetrat dhe ato të rejat!

Nga umetet e vjetra përcillet se metodat e ndëshkimit që i kanë përdorur janë: largimi, dëbimi, të kryqëzuarit në dru, prerja e pjesëve të trupit, djegia për së gjalli, prerjen e trupave me sharrë, etj. Të gjitha këto metoda të përdorura në umetet e mëhershëm janë përdorur edhe te muslimanët, madje armiqtë e fesë i kanë shumëfishuar ndëshkimet dhe metodat, saqë mendja e njeriu s’mundet ta paramendon!

Kush i sheh ato pamje dhe foto nga ndëshkimi i muslimanëve në Burma, dhe në Afrikën e Mesme, dhe në Siri dhe në Irak, që e bëjnë të krishterët dhe rafiditë dhe mushrikët, nuk i mbetet njeriu diç tjetër vetëm se të kërkon mbrojte tek Allahu nga sherri i njeriut shejtan.

Kur i sheh njeriu gjitha ato pamje dhe foto nga ndëshkimi i muslimanëve, e pyet vetveten se ata a janë njerëz apo çfarë?! Pse gjithë kjo zili mbi muslimanët?! Pse bota e lirë heshtën për këto pamje?! Ku janë organizatat për të drejtat e njeriut, që edhe ata janë pjesëmarrës në këto masakra në mënyrë direkte apo indirekte?!

Edhe pse këto pamje janë të dhimbshme, në anën tjetër ato janë ndriçuese, sepse aludojnë në përqendrueshmërinë e muslimanëve në të drejtën, sado që u kushton ajo, dhe aludon se Islami është i fortë dhe fe që përhapet më së shumti, derisa armiqtë e tij ia kanë për zili dhe e urrejnë dhe e sulmojnë!

Le të marrim mësim nga pamjet dhe fotot e përqendrueshmërisë së vëllezërve tanë të ndëshkuar, dhe le t’i shpeshtojmë lutjet e tona për ta, dhe le të lusim Allahun për falje dhe mbrojtje nga belat, dhe për përqendrim në fe derisa t’ia dorëzojmë amanetin!

SHEJH IBRAHIM HUKEJL

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË KAPURIT PËR KURAN DHE SYNET

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahit dhe robin e Allahut

O ju musliman, jemi dëshmitar okular se në mesin e muslimanëve sprovat dhe belat janë shtuar, në mendime nuk janë të pajtuar dhe gjaku derdhet në mesin e tyre! Të gjithë pyesin, se ku është rrugëdalja? Cila është rruga e fikjes së zjarrit të sprovave dhe grindjeve mes veti  dhe si të ecën umeti drejt sigurisë dhe paqes?

Allahu i Madhëruar thotë: Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë”. Ali Imran 103.

Të kapurit për Kuran dhe Synet është detyrimi më madhështor në Islam dhe shtylla më e vlefshme. Nëpërmjet tyre realizohet mbrojtja dhe shpëtimi për umetin, ashtu si kapet për litarin kur e gjen ai që është duke u fundosur në det.

Islami është i vetmi i cili i bashkon zemrat e ndara, dhe e fikën të keqen e zjarrtë dhe e largon urrejtjen e shpirtrave. Allahu i Madhëruar thotë: duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’I bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Enfal 63.

Të kapurit për litarin e Allahut është mbrojtje nga devijimi dhe lajthitja. Bashkon umetin nën flamurin “la ilahe il-lallah Muhamedun resulullah”, dhe e forcon lidhjen mes tyre dhe i largon qëllimet personale dhe i ul poshtë flamujt e rrejshme dhe nëpërmjet saj ballafaqohet mashtrimi dhe trillimet e armikut.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Allahu te ju i donë tri gjëra dhe tri të tjera i urren. Ai donë te ju që ta adhuroni Atë dhe mos t’i përshkruani ortak në asgjë, të kapeni për litarin e Allahut të gjithë dhe mos të përçaheni dhe ta këshilloni atë që Allahu e bëri prijës të juajin. Allahu te ju urren bisedat e pavlera e që sjellin gjynahe, pyetjet e shumta (të pavlera dhe me qëllim kundërshtimi) dhe shpërdorimin e pasurisë”.

Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja”. Ali Imran 103.

Lufta mes dy fiseve Eusit dhe Hazrexhit vazhdoi një qind e njëzet vite, kurse baza e prejardhjes së dy fiseve ishte e njëjta. Me ardhjen e Islamit u fik urrejtja në shpirtrat e tyre dhe i largoi ideologjitë e injorancës dhe i bashkoi zemrat e tyre, dhe i bëri vëllezër.

Kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ligjëroi ensarëve në çështjen e plaçkave të luftës së Hunejnit, ndër tjerash u tha: “O ju ensar, a nuk ju gjeta të devijuar dhe Allahu ju udhëzoi nëpërmjet mua?! A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuria me mua?! Dhe çdo herë që thoshte diçka , ata pohonin: Allahu dhe i Dërguari i Tij na dhuroi! Për këtë arsye Allahu tha: nuk do të mund t’I bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. Enfal 63.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Farefisi mundet të shkëputet dhe begatitë të mohohen, por kur Allahu i ofron zemrat, nuk mundet ti lëkund askush, asnjëherë”, dhe pastaj e lexoi ajetin: Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’I bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. Enfal 63.

Një njeri i tha ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Si u gdhitë?! Iu përgjigj: U gdhimë me begatinë e Allahut, vëllezër!

Pse mos të jenë vëllezër, kur Zoti i tyre është një, i Dërguari i tyre është një dhe Kibleja e tyre është një?!

Për ta vërtetuar këtë rregull madhështore, sheriati përgatiti sebepe që e forcojnë këtë lidhje dhe bashkim. Namazi me xhemat është sebep i bashkimi të muslimanëve pesë herë brenda dite, pastaj namazi i xhumasë një herë në javë, pastaj bashkimi vjetor gjatë namazit të Bajramit. Zeqati paraqet solidaritet shoqëror dhe mëshirë dhe mirësjellje. Agjërimi i Ramazanit e bashkon umetin me veprat e tij gjatë ditës dhe natës. Gjatë Haxhit takohen muslimanët nga të gjithë vendet e botës, me raca të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe nacionalitete të ndryshme. E përshëndetin njëri tjetrin me selam, dhe jetojnë disa ditë së bashku të vëllazëruar.

Mirëpo ajo që e bën zemrën me dhembje dhe ia shton brengat, është ajo që e shohim nga ndarjet e dhembshme dhe mospajtimet e rënda në trupin e umetit.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjellë se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shejtani ka humbur shpresat se do të adhurohet në siujdhesën arabike, mirëpo ai shpreson në nxitjen e mosmarrëveshjeve mes jush”.

Përçarjet dhe mospajtimet dhe divergjencat e urrejtura, të cilat vijnë nga pasimi i epshit dhe qëllimeve personale, injorancës dhe padrejtësisë, e pengojnë ecjen e umetit, e paralizojnë përparimin e saj dhe e dobësojnë fuqinë e saj, dhe e largojnë nga realizimi i shpresave dhe arritjes së qëllimeve të saj.

Kurani i paralajmëroi muslimanët nga përçarje e tillë, e cila i përçan edhe rreshtat dhe bënë që umetet të dobësohen dhe përçahen. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia”. Enfal 46.

Përcjell ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, dhe thotë se e dëgjova një njeri i cili lexoi një ajet dhe e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se e lexoi të kundërtën e asaj që lexoi njeriu dhe shkova deri tek ai, , lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e lajmërova. Në fytyrën e tij pash urrejtjen dhe më tha: “Të dytë e keni mirë, mos u përçani. Ata që ishin para jush kishin mospajtime dhe u shkatërruan”.

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar”. Enam 159.

Shkaku i përçarjeve dhe mospajtimeve u vodhën pasuritë e muslimanëve, u morën tokat e tyre, muslimanët ia kthyen shpinën njëri-tjetrit, e dashuruan dhe e urrejtën njëri-tjetrin jo për hir të Allahut, madje arriti çështja deri sa edhe ngrenë dorë njëri ndaj tjetrit dhe arriti deri te vrasja, duke menduar secili se është në të drejtë e tjetri në të kotë.

Islami për këtë arsye ndaloi vrasjen mes vëllezërve në fe dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin e juaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend”.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Pashë Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, ajo është porosi për umetin e tij: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

Gjaku e ka vlerën e lartë, madje një pikë gjaku është shumë i shtrenjtë. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahuështë zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur njëdënim të madh”. Nisa 93.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vazhdon të jetë njeriu në gjërësinë e fesë përderisa nuk prek në gjak të ndaluar”.

Me këtë na qartësohet se kapja për litarin e fortë të Allahut është mburoja e fortë për ta bashkuar fjalën e muslimanëve, fuqinë e tyre dhe rreshtat e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”. Shura 13.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

ÇIFUTI FRANCEZ QË U BË THIRRËS I MADH I ISLAMIT

Ibrahimi është një musliman me prejardhje turke dhe i ka arritur të pesëdhjetat. Jeton në Francë dhe është pronar i një dyqani edhe atë në një ndërtesë të një familjeje çifute, kurse ngjarja daton që nga viti 1957.

Për çdo mëngjes familjeje çifute e dërgonin të birin e tyre Xhadin, i cili ishte shtatëvjeçar, të blen nga dyqani dhe çdo herë, siç është edhe traditë e çifutëve, nuk harronte të vjedh nga një pako çokollatë nga dyqani i Ibrahimit. Një ditë nga ditët Xhadi pasi që bëri pazarin doli nga dyqani, mirëpo harroi të vjedh. Gjatë daljes e thërriti Ibrahimi dhe i tha: O Xhad, harrove ta vjedhsh pakon e çokollatave!! Xhadi nga këto fjalë u tremb dhe i tha: “Ti a e dije se unë vjedh për çdo ditë”?! -Po, dhe kjo është pakoja e jote për sot, iu përgjigj Ibrahimi!!

Xhadi i premtoi se më nuk do të vjedh asnjëherë, dhe nga ajo ditë shkonte në dyqan, e bënte pazarin dhe në fund e merrte një pako çokollata dhe i thonte Ibrahimit: “E mora pakon dhe ikte”. Marrëdhëniet mes tyre filluan të përmisohen dhe të jenë më të ngrohta, derisa Xhadi filloi t’ia rrëfen fshehtësitë dhe problemet e tija private. Ibrahimi e dëgjonte me vëmendje dhe në fund e merrte e hapte dollapin dhe e nxirrte një libër dhe kërkonte nga Xhadi që ta kap dhe t’i mbyll sytë e tij dhe ta hap në cilën do faqe me qëllim që Ibrahimi ta lexon dhe të diskutojnë së bashku për atë që e lexuan derisa ta zgjedhin problemin.

Ibrahimi filloi të plaket, u bë 67 vjeçar, kurse Xhadi i mbushi të 24. Dashuria mes tyre filloi të shtohet, derisa Ibrahimi ndërroi edhe jetë, dhe në porosinë e tij që ia la bijve të vet i kishte urdhëruar që dollapin t’ia dorëzojnë Xhadit si dhuratë nga ai. Xhadi nga vdekja e Ibrahimit u mërzit tepër, filloi të qan dhe nga mërzia dhe dhembjet e mëdha, soli në rrugë dhe harroi ta marrë me vete dollapin.

Një ditë nga ditët u ballafaqua me një problem dhe iu rikujtua Ibrahimi dhe tha në vetvete, po të ishte Ibrahimi do të më dëgjonte me vëmendje dhe do ta hapte dollapin dhe do ta nxjerrke librin. Në atë moment iu rikujtua dollapi dhe iku shpejt deri në shtëpinë e bijve të Ibrahimit, e mori dollapin dhe e hapi. E vërejti se libra ishte brenda dhe i mbylli sytë dhe e hapi atë ashtu si vepronte edhe më herët me Ibrahimin. Për çudi ishte se Xhadi asnjëherë nuk e kishte parë se nga ajo që e lexonte Ibrahimi nuk ishte në gjuhën franceze. Kur e hapi librin e vërejti se libri ishte në gjuhën arabe dhe me vrap iku te një shok i tij tunizian, që t’ia lexon dy fletë ashtu si vepronte me të Ibrahimi. Xhadi tash e mori librin dhe filloi të mendon rreth problemit të tij dhe papritmas zgjidhja e problemit ishte para syve të tij!!   E pyeti shokun e tij se çfarë libër është ky?! Iu përgjigj: Ky libër është KURANI.

Xhadi nga ajo ditë e pranoi Islamin dhe emri i tij u shndërrua në Dr. Xhadullah el Kuranij, një ndër thirrësit më të mëdhenj të Islamit në Evropë.

Ishte shkak i pranimit të Islamit nga ana e 6000 çifutëve dhe krishterëve. Kur u pyet për çastet më të lumtura të jetës së tij, tha: “Kur e pranon ndokush Islamin dhe unë jam shkak për pranimin e tij, e ndjej në vetvete se ia kthej një të mirë të vogël xhaxhait Ibrahim. Xhaxhai Ibrahim 17 vite rreshtazi ishte me mua dhe asnjëherë nuk më tha, ti je çifut e unë jam musliman. Asnjëherë nuk më tha se ti nuk je besimtarë dhe madje nuk më tregoi se çfarë është ky libër të cilin e lexonim dhe i zgjidhja problemet e mia. Asnjëherë nuk u mërzit nga unë dhe me mjeshtëri me lidhim me Kuranin”.

Dr. Xhad udhëtoi për në Afrikë ku jetoi dhjetë vite dhe si shkak i tij e pranuan Islamin më shumë se 6 milion njerëz. Vdiq në moshën 55 vjeçare, në vitin 2003, nga sëmundjet e ndryshme që e goditën në Afrikë.

Allahu e mëshiroftë me Xhenetin e Tij për punën që e bëri dhe që na mësoi se si duhet të duhet kjo Fe dhe të sakrifikohet për të.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top