PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

DEVOTSHMËRIA, POROSIA E ALLAHUT PËR TË PARËT DHE TË FUNDIT

S’kam hasur në Kuran e as në Sunetin e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, cilësi apo karakteristikë të dalluar, që i është dhënë aq rëndësi, aq respekt dhe pozitë të lartë, si devotshmëria.

Çka është devotshmëria?

Devotshmëria është mbrojtja e nefsit prej çdo të papëlqyer apo të keqe që mund ta godet. Ky është kuptimi i saj në aspektin gjuhësor. Thotë Ibën Rexheb el Hanbeli: “Baza e devotshmërisë, është që robi të vendos parambrojte mes tij dhe mes asaj që i frikohet dhe i ruhet”.

Në aspektin terminologjik fetar, devotshmëria e ka kuptimin e njëjtë s’i në atë gjuhësor, vetëm se i shtohet një realitetet i çmuar, e ai është se: Allahu, azze ue xhel, është ai që e meriton t’i frikohemi, t’i ruhemi dhe të largohemi dënimit të Tij, për shkak se në Dorën e Tij  janë çelësat e të gjitha çështjeve dhe me ato vepron s’i dëshiron, pa e pyetur askënd. Prandaj, droja prej Allahut, azze ue xhel, dhe ruajtja prej dënimit të Tij, janë fshehtësia e kënaqësisë së kësaj bote dhe botës tjetër.

Me këtë kuptim, Allahu i porositi të gjithë robërit e Tij me devotshmëri: “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve:“Frikësojuni Allahut!”. (Nisa, 131)

Porosia e devotshmërisë në Kuran reflektohet dhe pasqyrohet në dy pamje kryesore:

Në pamjen e parë devotshmëria i shtohet emrit të Allahut azze ue xhel, dhe atëherë merr kuptimin: frikohuni prej zemërimit dhe hidhërimit të Allahut, se këto janë shkak i dënimit tuaj në botë dhe Ahiret. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij”. (Ali Imran, 28 dhe 30) dhe “Vetëm Ai është i Denjë për t’u pasur frikë”. (Mudethir, 56)

Pra, vetëm Ai, azze ue xhel, është që e meriton t’i frikohemi, ta respektojmë, dhe të madhërohet në gjokset e robërve, dhe pastaj Të adhurohet dhe T’i nënshtrohemi.

Në pamjen e dytë devotshmëria i atribuohet dënimit të Allahut, vendit të tij dhe kohës së tij, siç thotë Allahu, azze ue xhel: “dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët”. (Ali Imran, 131), “Ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.” (Bekare, 24), dhe “Frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd” (Bekare, 48 dhe 123), dhe “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi”. (Bekare, 281)

Shihet qartë se ekziston një lidhje e ngushtë mes dy pamjeve.

Në hijen e këtyre kuptimeve erdhën edhe porositë e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, për shokët e tij në lidhje me devotshmërinë. I përsëriste në raste të ndryshme, që tregon madhështinë dhe vlerën e këtyre porosive, veçanërisht kur ishte porosi lamtumirëse për shokët e tij dhe krejt Umetin. Në ditën e Haxhit Lamtumirës, kur Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, i këshilloi njerëzit, ata i thanë: Na duket sikur se është këshillë e fundit, andaj na porosit. Tha: “Ju porosis për frikërespekt, dëgjueshmëri dhe nënshtrim”.

Këshilla e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, për secilin që kërkonte prej tij këshillë, ishte devotshmëria. Kështu e porositi edhe Ebu Dher’rin, radijallahu anhu “Të porosis me devotshmëri ndaj Allahut, se ajo është koka e çdo çështjeje”. ( Ibni Hibani ).

Me të njëjtën këshillë e porositi Ebu Seid el Hudriun, radijallahu anhu, të cilit i tha: “Të porosis me devotshmëri ndaj Allahut, se ajo është koka e çdo sendi”, dhe në një transmetim tjetër: “Të obligoj me devotshmëri ndaj Allahut, sepse ajo është përmbledhësi i gjitha të mirave”.

Të parët tanë prej sahabëve, tabi’inëve dhe ato që vazhduan me mirësi rrugën e tyre në çdo shekull, e kuptuan vlerën e madhe të kësaj porosie dhe filluan t’i porosisin dhe këshillojnë ata që vinin pas tyre me të njëjtën porosi.

Ebu Bekri, radijallahu anhu, e fillonte hutben e tij, duke thënë: “Ju porosis me devotshmëri ndaj Allahut”. Kur iu afrua vdekja, dhe kërkoi prej Omerit , radijallahu anhu, ta zëvendëson në post, çështjen e parë që e porositi ishte: “O Omer, bëhu i devotshëm ndaj Allahut”.

Kjo ishte porosia e katër halifeve dhe atyre që e pasuan rrugën e tyre prej dijetarëve të selefit.

Kjo porosi e fiton pozitën e lartë në mesin e porosive, ngase është nëna e porosive. Të gjitha porositë tjera janë shpjegim i hollësishëm i saj. S’ka porosi të mirë e që të mos jetë e përfshirë në devotshmërinë, duke filluar prej porosisë në njësimin e Allahut dhe realizimin e sinqeritetit, e duke mbaruar me porosinë e largimit të çdo të keqe prej rruge.

Argument tjetër që aludon në rëndësinë e devotshmërisë, është se ajo është lutja më e madhe në Kuran, e ajo është fjala e Allahut, azze ue xhel, në fund të sures Fatiha, ku thotë: ” Udhëzona në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6)

Përgjigja e saj erdhi në fillimin e sures Bekare: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshime. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”. (Bekare, 2) Kjo do të thotë se ky Kuran udhëzon në rrugën e drejtë, por ky udhëzim është i veçantë vetëm për të devotshmit, dhe s’e fiton askush veç tyre.

Thëniet e dijetarëve janë unike se devotshmëria ndaj Allahut, azze ue xhel, vjen s’i rezultat i pasimit të urdhëresave, dhe largimit të ndalesave.

Muhamed ibën Ebi el Fet’h el Hanbeli thotë: Devotshmëria është: Largimi prej shirkut, dhe prej imoralitetit dhe mëkateve të mëdha.

Omer ibën Abdulaziz thotë: Devotshmëria është: Largimi prej ndalesave që i ka ndaluar Allahu dhe veprimi me atë çka e ka obliguar Allahu.

Disa dijetarë thonë: Ndjekja e rrugës së Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem.

Disa të tjerë thonë: Largimi prej asaj që s’ka gjë, duke qenë i kujdesshëm prej asaj që ka gjë.

Disa prej tyre thonë: Të gjitha që ceken në fjalën e Allahut, azze ue xhel: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin” (Nahl, 90).

Është një realitet i rëndësishëm në lidhje me devotshmërinë, dhe ky realitet theksohet dhe citohet në hadithin e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem: “Devotshmëria është këtu” , duke treguar dhe dhënë shenjë kah kraharori i tij tre herë.

Kjo aludon në atë se vendi i devotshmërisë ndaj Allahut është zemra. Kur frikohet zemra, frikohen gjymtyrët. Në një transmetim tjetër citohet se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtet Allahu s’i shikon trupat dhe pamjet e juaja, por ai i shikon zemrat e juaja”.

Devotshmëria e zemrës është baza e sjelljes morale të drejtë, dhe ajo është e cila disa e quajnë ndërgjegje, e cila e qorton dhe ia tërheq vërejtjen njeriut kur bie në mëkate dhe gjynahe, dhe ajo është që e nxit njeriun për vepra të mira dhe arritjen e shkallëve të përsosmërisë.

Prandaj, t’i frikohemi Allahut me frikërespekt të vërtetë, që të jemi prej atyre të udhëzuarve në rrugën e vërtet në dunja dhe botën tjetër, dhe të rikujtohemi se kjo porosi është porosia e Allahut azze ue xhel për ne, që e meriton ta madhërojmë.

Nga arabishtjai: Irfan JAHIU

PSE FRIKA NGA ISLAMI

Me një hadith ku tregohet besëlidhja e Akabesë, ceket se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte mbledhur fshehurazi me ensarët që t’ia japin besën për ndihmë. Kab ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se i pari i cili ia dha dorën të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte Bera ibën Mearur e më pas filluan njerëzit pas tij e pasi ia dhanë besën të Dërguarit të Allahut, shejtani ulëriti në majë të Akabesë me një zë të lartë që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë dhe tha: O banorë të shtëpive! A ka kush prej jush që të dali dhe t’i qortojë këta që kanë lënë fenë tuaj dhe ata janë mbledhur për t’ju luftuar ju! Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: “Ky është i fëlliquri i biri i të fëlliqurit, dëgjo o armik i Allahut, pasha Allahun që do të kem kohë edhe për ty”.

O ju njerëz, kjo ishte klithma e parë e frikësimit nga Islami të cilën së pari e filloi një shejtan prej shejtanëve xhind dhe i cili nëpërmjet përhapjes së këtyre klithmave krijoi një ide se lindja e hershme e shtetit Islam është bashkim për luftimin e njerëzve. Edhe në vazhdim të shekujve që vijuan kishte prej njerëzve që ende i trashëgonin këto pretendime dhe ato i përhapnin ose prej paditurisë ose hiqeshin si të paditur, dhe në ditët e sotit frika prej Islamit dhe frikësimi nga ai ende vazhdojnë të jenë prezentë në vendimet botërore dhe manifestimet shtetërore duke mos i harruar këtu edhe mjetet e informimit. Politikanët dhe gazetarët ende vazhdojnë ta paraqesin pamjen e Islamit si kulturë armiqësore kurse tolerancën si kulturë perëndimore, dhe nëse shikojnë dhe gjykojnë me drejtësi do të shohin se në themelet e Islamit dhe në parimet e tij ka vlera më të plota dhe shëmbëlltyrë në tolerancë dhe drejtësi.

Frika nga Islami është një gënjeshtër që len gjurmë negative mbi muslimanët dhe mbi të tjerët, ajo i prish urat e besimit e bashkëpunimit i shkatërron marrëdhëniet mes shteteve dhe ngritjen e dobive mes njerëzve, ushqen rrënjët e armiqësisë dhe radikalizmit, përfaqëson rrezik dhe mohim të drejtave të barabarta dhe ndarjen në baza fetare e racore, duke ia shtuar keqtrajtimet dhe shtypjet dhe përkufizimin e të drejtave personale.

Çështja arriti deri në atë gradë sa që frikësimi prej Islamit nxiti urrejtje fetare, u nënçmuan dhe u nëpërkëmbën gjërat e shenjta Islame, u cenua shenjtëria fetare, u fye Muhamedi, alejhi salatu ue selam, u përbuz Kurani, u ligjësuan ligje kundër mbulesës dhe perçes, nëpër gazeta dhe mjetet e informimit u përhapën karikatura ku në to ofendoheshin muslimanët dhe pamjet e jashtme të muslimanëve i ndërlidhnin me tema ku në to flitej rreth terrorizmit.

Përkatësia Islame e individit apo e popullit ende vazhdon të jetë shkak i dështimit të çështjeve të tyre dhe humbjes së të drejtave dhe refuzimit të kërkesave të tyre. Frika nga Islami qëndron pas padrejtësisë së Palestinës dhe mbrojtjes së armikut prej fuqive botërore gjashtëdhjetë vite rreshtazi, duke ua uzurpuar tokën dhe duke e shfajësuar armikun prej padrejtësive të vazhdueshme dhe duke e konsideruar gjakun e Palestinezëve si të lirë dhe të pa vlerë.

Frika nga Islami qëndron pas qëndrimeve të dyshimta dhe armiqësore për çdo tentim të një populli që ta zgjedh një vendim me të cilin do të jeton. Të vjen keq kur sheh se një shumicë shikojnë me tolerancë kah fetë pagane, kurse kur është në pyetje Islami kundërveprimi i tyre zakonisht nuk buron prej mendjes dhe logjikës së shëndoshë por buron prej ndjenjave negative të ftohta e armiqësore.

Ndonjëherë frika nga Islami dhe ngritja e flamurit të tij është arsyeja që ndihmat për të varfrit e nevojtarët të vonohen dhe të tregohet pavendosmëri në shpëtimin e të dëmtuarve prej padrejtësive që mbi ta ushtrohen.

Nuk ka fare dyshimi se trashëgimit kulturore lajnë gjurmë në formimin e kësaj vije lëvizëse tek të tjerët kundër Islamit dhe të cilën e ushqejnë mjetet e informimit dhe politikat e padrejta e tirane, deri sa paralajmëroi kryetari i tashëm i Kombeve të Bashkuara në fjalimin e tij duke thënë se: “Karvani i frikësimit nga Islami është ngritur deri në gradën e racizmit ndaj kësaj feje”.

Njerëzve të mençur nëpër botë u mbetet të qëndrojnë me drejtësi dhe të jenë të paanshëm para kësaj çështjeje të rrezikshme e cila nuk sjell tjetër përveç se mospajtime dhe padrejtësi, ndërsa mosnjohja e Islamit dhe mësimi i tij dhe i vlerave morale të tij është arsyeja kryesore e frikës nga ai. Njeriu frikohet nga ajo që nuk e njeh.

O ju njerëz, ne kur i pohojmë dhe i vërtetojmë fjalët e lartpërmendura e kemi për qëllim që njerëzit ta mësojnë realitetin e historisë dhe tua rikujtojmë se qëndrimet e tyre janë të gabuara dhe bien ndesh me atë që krenohen prej vlerave dhe parimeve.

Pse frika nga Islami?

Muslimanët asnjëherë nuk ishin fajtorë për zhvillimin e dy luftërave botërore ku në luftën e parë botërore u vranë shtatëmbëdhjetë milion prej njerëzve, kurse në luftën e dytë botërore u vranë pesëdhjetë milion e mos të flasim për të plagosurit dhe shkatërrimet e mëdha të pasurive të njerëzve dhe ambientit.

Muslimanët asnjëherë nuk e kolonizuan botën dhe asnjëherë nuk i nënçmuan popujt duke ua thithur pasuritë dhe thesaret në favor të kolonizuesve. Islami gjatë historisë së tij të gjatë asnjëherë nuk ngriti tribunale e gjykata hetimi për t’i detyruar njerëzit ta ndërrojnë fenë e tyre, madje gjatë këtyre pesëmbëdhjetë shekujve në ato vende ku sundonte Islami dhe muslimanët, jomuslimanët i posedonin të gjitha të drejtat e tyre fetare asnjëri nuk u detyronte ta ndërron fenë e tij dhe për këtë shkak edhe sot kemi jomusliman të cilët jetojnë së bashku me muslimanët në një vend.

Ty të mbetet t’i shikosh qëndrimet botërore ku në to do të shohësh se si interesat e tyre personale e shtetërore i vendojnë para parimeve dhe vlerave dhe si i gjykojnë popujt vetëm se janë musliman ose prej frikës se muslimanët do t’i fitojnë të drejtat e tyre njerëzore në shtetet e tyre e jo jashtë. Turp është që një popull të zhduket e bota të refuzon t’i ndihmon vetëm pse janë musliman edhe pse atë e kanë detyrë shtetërore e morale.

A këto janë vlera? A këto janë parime? Pastaj Islami akuzohet me dallim racor! Kjo e trondit dhe e lëkund besimin e botës kur dihet se marrëdhëniet shtetërore bashkëkohore janë të ngritura mbi dobitë kombëtare e nacionale e jo mbi vlera morale, parime e ligje. Kur janë në interes të tyre parimet dhe ligjet, i japin përparësi, e kur nuk janë në interes të tyre atëherë i harrojnë ato me të cilat krenohen dhe i detyrojnë të tjerët të luajnë sipas kartave të tyre.

Shoqatat të cilat përkujdesen për njeriun dhe të drejtat e tij dhe të cilat e respektojnë pasurinë dhe tokën e tij, brenda njëqind viteve që janë të formuara, nuk kanë shënuar asnjëherë se një shtet musliman e ka pushtuar një shtet jo musliman. Kurse në anën tjetër sa toka muslimane janë pushtuar e sulmuar, ka qenë i mjaftueshëm vetëm një dyshim i thjesht apo akuzë që të pushtohet një vend musliman, të vriten me miliona prej bijve të saj, tu merren pasuritë, tu shkatërrohen shtëpitë, tu sulmohet historia dhe kultura, e pastaj të qartësohet se dyshimi ka qenë jo i vërtetë edhe të kalojnë pa u dënuar dhe pa kërkuar falje për atë që e vepruan.

Mjetet botërore të informimit arritën sukses në paraqitjen e revolucioneve dhe ngritjeve e të dëmtuarve kundër armikut se ato janë barbare, kështu që njerëzit u preokupuan me akuzimin e të vrarëve dhe e harruan vrasësin.

Pse frika nga Islami!? Kur ai i thërret njerëzit që të mëshirohen mes veti: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

Islami e largoi racizmin dhe dallimet klasore në shoqëri, derisa shteti më i fortë dhe më i madh perëndimor momentalisht këtë arriti ta largon vetëm se para pesëdhjetë viteve: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femra dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që I frikësohet më shumë Atij”. Huxhurat 13.

Pse frika nga Islami!? Kur të drejtat e para të njeriut u vendosën nën flamurin e tij. Islami është metodologjia më e qartë dhe më e dalluar që e kundërshton tiranin, despotizmin dhe arrogancën, jo vetëm prej aspektit politik, por për arsye se ai i sheh se këto janë krime që bien ndesh me thelbin e besimit të pastër, e ai është teuhidi i Allahut, azze ue xhel, kurse në Kuran gjen një metodologji të përsosur në kundërshtimin e tiranisë dhe despotizmit dhe shkatërrimit të tyre.

Pse frika nga Islami!? Kur ai edhe kafshës ia mbrojti të drejtën e tij. Nuk lejohet që kafsha të mundohet përtej mundësive të veta, e as të lihet e uritur apo e etur, e as të ndahet nëna prej fëmijës së saj.

Pse njerëzit frikohen nga Islami!? A i frikohen për shkak se Islami ua ndaloi kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe bukuritë e saj!? Jo pasha Allahun, Islami madje u tregua i ashpër kundër atyre të cilët i pengojnë stolitë e Allahut të cilat i krijoi për robërit e Tij: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Earaf 32. Islami ia ka garantuar jetën dhe kënaqësinë e saj dhe stolitë e saj për secilin, prandaj nuk ka nevojë për frikën nga Islami.

Pse frika nga Islami!? Kur historia na mëson se një periudhë kohore kultura e tij e arriti kulminacionin dhe të gjithë morën prej saj dhe e plotësuan popujt rrugën pas saj.

Pse paraqitet Islami se përmban farën e fanatizmit dhe egërsisë kur toleranca dhe morali i lartë janë parime bazore të tij, madje në Kuran përmenden mëshira, falja, durimi, ndjesa, bujaria, dhembshuria më shumë se nëntëqind herë, jashtë asaj çka ka prej Muhamedit, alejhi salatu ue selem. A ekziston fe apo kulturë që i ka përkushtuar rëndësi të veçantë si kjo fe edukatës së tolerancës!?

Se toleranca nuk paraqet përbuzje dhe turp apo nënshtrim i padrejtësisë dhe tiranëve, por ajo paraqet baraspeshë na e përshkruan Kurani me fjalët e tij: “Dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak. Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët. Për atë që përgjigjet, kur i është bërë një padrejtësi, nuk ka kurrfarë qortimi ndaj tij. Qortim ka vetëm kundër atyre që u bëjnë keq njerëzve dhe që pa të drejtë mbjellin ngatërresa në Tokë; për ata ka dënim të dhembshëm. Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme”. Shura 39-43.

Toleranca që vjen në kuptimin e bamirësisë dhe zëvendësimit të një të keqeje me të mirë është çështje e kërkuar dhe e dëshiruar nëse në vete nuk përmban padrejtësi dhe me atë nuk i ndihmon dhe nuk i nënshtrohet zullumqarit ose preket parimi i krenarisë i cili i takon Allahut dhe të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, dhe besimtarëve.

Islami ka ardhur me moral të lartë dhe me çdo hollësi të sjelljes së mirë kundrejt njeriu dhe ambientit ashtu siç erdhi harmonik mes anës shpirtërore dhe asaj trupore.

O ju robërit e Allahut, realiteti i frikësimit nga Islami është prodhim që e prodhuan popuj të cilët dëshirojnë t’i pengojnë njerëzit prej tij, apo të paraqesin gënjeshtra rreth realitetit të tij, vlerave të tij, ritualeve të tij dhe dispozitave të tij, edhe atë për qëllime politike apo fanatike apo epshore, dhe po t’i linin njerëzit në natyrshmërinë e pastër të tyre dhe të logjikonin me mendjen e tyre, pa nxitje dhe urrejtje kundër Islamit, njerëzit asnjëherë nuk do ta urrenin.

Islami nuk është fe vetëm se e arabëve, më i miri i tyre, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, nuk është monopol vetëm se i muslimanëve, por ai është mëshirë për të gjithë njerëzit: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”. Enbija 107.

Detyrë e muslimanëve është që të kapen për parimet dhe vlerat e tij, dhe t’ia qartësojnë njerëzve realitetin e tij në teori dhe praktikë.

Nuk ka frikë për Islamin, Allahu e mbron fenë e Tij, por frikë ka për ata që e neglizhojnë dhe është janë të shkujdesur në praktikimin e tij, dhe për atë që e kundërshtojnë dhe pengojnë prej rrugës së tij: “Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë”. Zuhruf 43.

O ju njerëz, këto ditë mjetet e informimit janë të stërmbushura me pamje të vrasjeve të muslimanëve dhe derdhjen e gjakut të tyre në Sirinë tonë të dashur, vrasësit e tyre janë të qetë prej kundërshtimit dhe kundërveprimit të shteteve tjera e në veçanti prej atyre që e rrethojnë në anën perëndimore dhe lindore. Ato pamje aspak nuk e mërzisin zullumqarin e tyre madje ai këtë e konsideron mbrojtje të popullit të vet prej terrorizmit, atë aspak nuk e mërzisin ato pamje derisa t’i paralajmëron shtetet e tjera se nëse bie ai në pushtet do të vinë muslimanët dhe në atë ata janë pajtuar. Ata harrojnë se muslimanët e në veçanti Sunitët jo që e kërkojnë pushtetin por ata e kanë sunduar më herët Shamin dhe ato kohëra kanë qenë më të mirat në historinë e Shamit, ka pasur siguri, begati, dituri, furnizim dhe fuqi.

Shpresat tek Allahu janë të mëdha, nëse ndërpritet ndihma prej toke hapen dyert e qiellit, dhe çdo përpjekje politike apo ideologjike që ndihmon në largimin e padrejtësisë prej atij vendi janë për të lavdëruar dhe falënderuar.

Shpresojmë që Allahu t’i realizon përpjekjet e sinqerta dhe t’i begaton ato dhe shpresojmë që ta largon atë tagut prej popullit të tyre sa më shpejt: “Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë”. Kasas 5.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

SFIDAT E MUSLIMANIT PRAKTIKANT

1-  Cila është dispozita për ndryshimin e emrit të një personi, i cili e pranon Islamin, dhe dëshiron ta ndryshojë emrin e vjetër që ai ka pasur me një emër të ri Islam, dhe a është ky ndryshim i emrit i detyrueshëm për të apo jo?

Përgjigje: Falënderimi i takon vetëm Allahut dhe paqja e mëshira qofshin mbi Pejgamberin, sal-allahu alejhi ue selem.

S’ka argument në Kuran dhe Sunet, i cili aludon për atë se personi që e pranon Islamin detyrohet ta ndryshojë emrin. Mirëpo nëse emri i tij në vetvete përmban ndonjë kuptim, i cili është në kundërshtim me Islamin, atëherë detyrohet ndryshimi i tij.

Shembull marrim emrin Abdulmesih (i cili do të thotë rob i Mesihut), dhe shumë emra të tjerë që pas fjalës Abd (Rob) i shtohet si shtojcë, e cila aludon në të qenit rob, por jo i Allahut azze ue xhel, si Abdushems, e Abdulmesih etj., dhe padyshim që këto emra janë në kundërshtim me ligjin e Allahut azze ue xhel, dhe kështu detyrohet ndryshimi i tyre. Ky është grupi i parë, kurse në grupin e dytë bëjnë pjesë emrat, të cilët nuk pëlqehet emërtimi me ato, dhe zëvendësohen me emra më të mirë, sikurse emri Huzën (Pikëllim) zëvendësohet me emrin Sehël (Lehtësi), dhe shumë emra të tjerë. Në grupin e dytë po ashtu bëjnë pjesë edhe emrat që emërtimi i tyre është i njohur dhe i përhapur në mesin e të Krishterëve, dhe dëgjuesi hutohet kur e dëgjon emërtimin e tij dhe dyshon, se personi është musliman apo i krishterë, dhe këto emra është shumë e pëlqyeshme të ndryshohen. Pra, për emrat e grupit të parë bëhet e detyrueshme zëvendësimi me emra të tjerë, kurse emrat e grupit të dytë pëlqehet dhe është mirë të zëvendësohen me emra më të mirë.

ABDULAZIZ IBËN BAZI

2-Muslimanët në shumë shtete të SHBA-së  nuk munden të gjejnë vende të përshtatshme për faljen e namazit të Xhumasë, kështu që shpesh e falin në disa kisha që i marrin me qira shumë lirë apo pa të holla. Disa nxënës dije nxitën një debat rreth saktësisë të atij namazi, i cili praktikohet në kishë, duke u bazuar në transmetimin e Ibën Omerit rreth ndalimit të namazit në kisha, faltore të Jehudive, varreza dhe thertore, ku nuk theret për Allahun azze ue xhel. Në fund  kjo rezultoi me largimin dhe mos-prezencën e disa muslimanëve në namazin e Xhumasë. Kërkojmë prej jush të nderuar hoxhallarë të na tregoni dispozitën e vërtetë për këtë çështje, që të tentojmë t’i kalojmë mosmarrëveshjet mes nesh në këtë shoqëri. Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje: Në rast se ekzistojnë vende të tjera, ku mundet të praktikohet namazi, atëherë nuk lejohet të falet namazi në kisha apo faltore të tjera të jomuslimanëve, për shkak se ato janë faltore, ku aty nuk adhurohet Allahu azze ue xhel, dhe brenda kanë piktura dhe skulptura. Ndërsa nëse s’ka vende të tjera të përshtatshme, atëherë lejohet falja e namazit në ato vende, por vetëm me nevojë. Omeri radijallahu anhu thoshte: “Ne nuk futemi në faltoret tuaja, për shkak se aty ka skulptura dhe piktura”. (Buhariu), ndërsa përcillet se Ibën Abasi falej në faltoret e jomuslimanëve, që nuk kishin skulptura dhe piktura. (Buhariu).

KOMISIONI I PËRHERSHËM I FETVAVE

3- Jam një djalosh gjashtëmbëdhjetë vjeçar dhe xhaminë e kam shumë afër shtëpisë sime. Mirëpo babai im nuk më lejon që ta fal namazin e Sabahut në xhami, kurse namazet e tjera më lejon. Thotë se frikësohet se do të më ndodhë diçka, për shkak se mes xhamisë dhe shtëpisë sime janë dy rrugë që duhet t’i kaloj. I kam folur shumë që të më lejojë duke i treguar argumente prej Kuranit dhe Sunnetit, por s’pajtohet. Prandaj, a lejohet që të shkoj në xhami pa dijen e tij?

Përgjigje: Së pari desha të uroj për këtë ambicie të lartë që ti ke dhe kujdesin tënd për faljen e namazeve me xhemat dhe e lus Allahun azze ue xhel që të të forcojë në fenë  e Tij, të të udhëzojë në rrugën e Tij të drejtë, dhe të të mbrojë prej sjelljeve të prindit tënd, që mos të jenë pengesë e udhëzimit tënd dhe veprimit të punëve të mira. Para se t’i përgjigjem pyetjes tënde dëshiroja të rikujtoj një çështje shumë të rëndësishme, e ajo është, se: Respektimi i prindërve dhe nënshtrimi ndaj tyre është detyrim që na porosit Allahu në shumë ajete të Kuranit, Ai azze ue xhel thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit.” Nisa 36, dhe thotë në ajetet e tjera: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Isra 23-24.

Dije se nënshtrimi ndaj tyre është i detyruar për ty, ndërsa mosrespektimi i tyre lejohet vetëm kur ata të urdhërojnë në mëkate. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka dëgjueshmëri dhe nënshtrim duke i bërë mëkat Allahut, por nënshtrimi është duke bërë mirësi”. (Buhariu dhe Muslimi).

Namazi me xhemat është detyrim, prandaj nuk lejohet që prindi ta ndalojë fëmijën e vet të rritur nga kryerja e ndonjë detyrimi. Prindi detyrohet ta urdhërojë dhe nxisë fëmijën e tij në kryerjen e detyrimeve fetare, dhe kur e vëren se fëmija i tij i neglizhon detyrimet e veta, atëherë prindi duhet të ndjejë se ka përgjegjësi ndaj tij dhe se do të pyetet para Allahut Ditën e Gjykimit për anëtarët e familjes së tij. Prandaj ai duhet t’i urdhërojë dhe t’i ndalojë, t’i rikujtojë për detyrimet e tyre fetare dhe për rrezikun e lënies së tyre. Në rast se prindi neglizhon detyrimet e tij që ka ndaj fëmijëve, duke mos i urdhëruar në të mirë dhe ndaluar nga e keqja, duke mos i nxitur në vepra të mira dhe duke i frikësuar prej veprave të këqija, atëherë ata fëmijë nuk falen prej gjynaheve kur i neglizhojnë detyrimet dhe bëjnë mëkate. Në rast se prindi i tejkalon kufijtë, duke e ndaluar birin e tij prej detyrimeve që ai ka ndaj Allahut, atëherë nuk ka nënshtrim duke i bërë Allahut mëkat. Kur prindi e urdhëron birin e tij në lënien e namazit me xhemat tërësisht ose pjesërisht, veçse e ka urdhëruar në mëkat dhe atëherë nuk ka nënshtrim ndaj urdhrave të tij, duke mos e neglizhuar sjelljen e mirë dhe bamirësinë ndaj tij.

Ndërsa për sa i takon pyetjes tënde, a lejohet të shkosh fshehurazi në namazin e Sabahut? Kjo është mirë për ty, por e dëmton prindin tënd edhe atë duke mos e vërejtur çështjen aspak. Prindi yt është mëkatar derisa vazhdon të ndalon të dalësh për ta falur namazin e Sabahut me xhemat, dhe dalja jote fshehurazi nuk e largon mëkatin prej atij. Ai vazhdon të jetë urdhërues në të keqe dhe ndalues nga e mira, edhe kur ti del për në namaz pa diturinë e tij. Prandaj, së pari tento ta bindësh me dispozitën e sheriatit, dhe në rast se nuk e pranon prej teje dhe të trajton si të vogël, atëherë provo që të tjerët të depërtojnë tek ai. Në rast se nuk pranon, atëherë lejohet të dalësh pa lejen e tij dhe pa dijen e tij, duke qenë i kujdesshëm kur e kalon rrugën deri në xhami.

Në fund i drejtohemi babait tënd, Allahu e udhëzoftë, duke e rikujtuar se Allahu azze ue xhel të ka detyruar me përgjegjësi të madhe, e ajo është mësimi dhe këshilla e familjes tënde. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:”Të gjithë ju jeni barinj e të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj… dhe burri është përgjegjës për pjesëtarët e familjes së tij”.

Allahu azze ue xhel të ka urdhëruar ta ruash veten dhe familjen tënde prej zjarrit të Xhehenemit, duke thënë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. Tahrimë 6, dhe fjala e Allahut duke urdhëruar për namazin: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. Taha 132.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë thotë: Kush anashkalon mësimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, dhe e len të neglizhuar, vetëm se e ka ofenduar dhe dëmtuar shumë. Shumë fëmijë janë shkatërruar prej prindërve të tyre, për shkak të neglizhencës ndaj tyre, duke mos ua mësuar detyrimet dhe sunetet fetare, prandaj i shkatërruan të vegjël dhe nuk i bënë dobi vetes, e as nuk i bënë dobi prindërve të tyre, kur u rritën. (Tuhfetul Uedud, faqe 229).

Ne të drejtohemi me një pyetje të rëndësishme: Ku je ti në namazin e Sabahut!? A nuk është detyrim edhe për ty të falesh me xhemat!? A nuk je i detyruar që të jesh shëmbëlltyrë për familjen tënde dhe ta falësh namazin në xhami me xhemat!? Ti kur e fal namazin me xhemat e kryen atë që të ka detyruar Allahu, e ndihmon birin tënd të shkojë në xhami, dhe e ndihmon veten të jesh i qetë, se biri jot nuk e kalon rrugën vetëm.

Dije, o ti prind i nderuar, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, na ka lajmëruar se ai që e fal namazin e Sabahut është nën mbrojtjen e Allahut. Pra, si frikësohesh për atë që është nën mbrojtjen e Allahut.

Na transmetohet prej Xhundub ibën Abdullahut, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut, prandaj askush mos t’i kundërvihet kësaj me diçka, sepse kush i kundërvihet kësaj, Allahu do ta arrijë atë, dhe pastaj do ta gjuajë me fytyrë në zjarr të Xhehenemit”. (Muslimi).

Fjala mbrojtje në hadith e ka kuptimin: Garanci, apo disa tjerë thonë: Besnikëri, sikurse ka thënë Imam Neveviu.

E lus Allahun që të mundësojë ta kryesh amanetin, dhe të jesh shëmbëlltyrë për familjen tënde, dhe të ndihmosh birin tënd në kryerjen e namazeve në shtëpinë e Allahut azze ue xhel. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

4-Unë jam një grua muslimane. Dy vitet e fundit kontaktoj nëpërmjet internetit me disa gra jomuslimane prej Evrope dhe Amerike, dhe shkëmbejmë mes nesh dhurata të ndryshme dhe disa sende rrobaqepësie. Tentova të diskutojmë rreth Islamit, por kisha frikë se dituria ime për t’i thirrur në  Islam është e vogël dhe mund të gaboj. Prandaj i nderuari hoxhë, çka më këshilloni të veproj. T’i shkëpus marrëdhëniet e mia me ato gra përfundimisht, apo të vazhdoj t’i kontaktoj më qëllim që t’i thërras në Islam, edhe pse e kam të vështirë dhe më tregoni se si të filloj. Dhe në fund, marrëdhëniet tona a konsiderohen shoqërore dhe a është e lejuar ajo shoqëri?

Përgjigje: Nuk lejohet që një musliman apo muslimane të bëjë shok apo shoqe prej jobesimtarëve, se Allahu azze ue xhel e ka ndaluar kultivimin e simpatisë ndaj jobesimtarëve, miqësinë e tyre dhe bashkëpunimin me ata. Allahu azze ue xhel thotë: “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut dhe me të vërtetë që Pala e Allahut do të jetë fitues”. Muxhadeleh 22, dhe thotë: “O besimtarë! Mos i bëni miq e mbrojtës hebrenjtë dhe të krishterët! Ata janë mbrojtës të njëri-tjetrit. Kushdo prej jush që i bën ata miq, është me ata. Vërtet Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë keqbërësit”. Maideh 51, dhe thotë: “O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit), nëse jeni njerëz që kuptoni.” Ali Imran 118.

-Lejohet që një musliman t’i kontaktojë jobesimtarët dhe t’u japë dhurata, me qëllim që t’i thërrasë në Islam. Por me kusht që të jetë i mbrojtur me dituri dhe besim, të jetë i përpiktë në davet, dhe t’i njohë dyshimet dhe traditat e atij populli. Ai që s’është i përpiktë, nuk i takon ta mundojë veten e tij në këtë sferë, për shkak të sprovave dhe dyshimeve që mund ta godasin, dhe të bëhen shkaktarë për devijimin e tij, Allahu na ruajt.

-Në rast se kontaktet e juaja kufizohen vetëm në shkëmbimin e sendeve për rrobaqepësi, dhe përfitimi prej atyre në këtë sferë, duke mos arritur çështja deri në kultivimin e simpatisë dhe dashurisë ndaj tyre, dhe urimeve të festave të tyre, atëherë s’ka gjë inshallah, lejohet kontaktimi me ato. Argument për atë çka thamë është vetë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili bashkëpunonte me Jehuditë në shitblerje. Po ashtu s’ka gjë në dhurimin e disa dhuratave, nëse s’janë prej jobesimtarëve që e luftojnë Islamin dhe muslimanët, Allahu azze ue xhel thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët”. Mumtehine 8.

Dijetari i njohur Abdurrahman Sadi, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “S’ju ndalon Allahu prej respektimit, marrëdhënieve, shpërblimit në mirësi dhe drejtësisë ndaj jobesimtarëve, prej të afërmve tuaj dhe të tjerëve, derisa nuk i takojnë atyre që ju luftojnë në fe dhe ju largojnë prej vendbanimeve tuaja. Prandaj s’ka gjë në marrëdhëniet mes jush, se marrëdhëniet në këtë rast janë të lejuara”.

-Mjetet e davetit janë të shumta dhe të llojllojshme, prej tyre:

1- Dialogu i drejtpërdrejtë: Duhet të përqendrohemi në qartësimin e mirësive të Islamit, qartësimin e vërtetë të teuhidit, rëndësinë e besimit dhe porosisë së Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, pastaj duhet të qartësohet se fetë e tjera jashtë Islamit janë të kota, për shkak të devijimit, ndryshimit dhe zëvendësimit që kanë bërë jobesimtarët me librat e tyre.

2- Dhurata e librave dhe e botimeve që flasin për Islamin dhe dëshirën për pranimin e tij.

3- Udhëzimi i të tjerëve për faqe të posaçme interneti, që e qartësojnë Islamin dhe thirrjen në të, pastaj përgjigjet ndaj dyshimeve të kundërshtarëve dhe diskutimi i atyre me atë çka është më e mirë.

Në fund, ju porosis se thirrësi në Islam duhet të zotërojë domosdoshmërish dituri dhe besim të fortë, që të ballafaqohet me dyshimet dhe epshet, ose t’ia lirojë vendin tjetrit, i cili është më i mirë se ai, se në të kundërtën do të rrezikojë fenë e vet. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

5- I nderuari hoxhë, unë jam një muslimane prej Bullgarisë dhe shteti im shumë vite me radhë ka qenë nën sundim komunist. Në atë periudhë shumica e adhurimeve ishin të ndaluara dhe njerëzit s’dinin për Islamin asgjë. Unë personalisht s’dija gjë për Islamin, deri sa u bëra njëzetvjeçare dhe Allahu azze ue xhel më udhëzoi në fenë e Tij. Pyetja ime është: A duhet ta kompensoj namazin dhe agjërimin, që nuk e kam praktikuar në atë periudhë? Allahu ju shpërbleftë.

Së pari, e falënderojmë Allahun azze ue xhel, që ju largoi prej atij sistemi komunist të padrejtë e zullumqar, i cili  dyzet vite me radhë i shtypi muslimanët, i shkatërroi xhamitë, e disa prej tyre i shndërroi në muze, i mbyllën shkollat islame, muslimanëve ua ndryshuan emrat, dhe identitetin  e tyre islam e humbën dhe e shkatërruan. Por Allahu e ndihmon dhe e përsos dritën e Vet, edhe nëse këtë gjë e urrejnë jobesimtarët.

Sistemi komunist i padrejtë dhe zullumqar u rrëzua në vitin 1989. Muslimanët u gëzuan shumë, sepse u kthyen në xhamitë e tyre të vjetra, që t’i ndërtojnë dhe riparojnë ato, fëmijët iu kthyen mësimit të Kuranit, dhe në rrugët u paraqit përsëri mbulesa islame. E lusim Allahu azze ue xhel që t’i kthejë muslimanët në fenë e Tij dhe t’i ndihmojë, t’i bëjë krenar dhe armikun e tyre ta shkatërrojë.

Brezat që janë rritur në këtë periudhë zullumqare s’kanë ditur gjë fare për Islamin, mësimi fetar ka qenë i ndaluar, depërtimi i Kuranit dhe i librave islame ishte i ndaluar, dhe gjëja e vetme që ata dinin ishte se ata i takojnë fesë Islame. Prandaj ata persona që s’dinë fare për dispozitat islame, detyrimet dhe adhurimet e tyre, nuk detyrohen t’i përsërisin, pra ato adhurime që s’i kanë vepruar. Muslimani që s’ka mundur të kërkojë dituri fetare, dhe tek ai s’kanë arritur dispozitat e sheriatit, atëherë ai musliman nuk detyrohet me asgjë, Allahu azze ue xhel thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. Bekare 286.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “S’ka divergjencë mes muslimanëve, se ai musliman që jeton në vendet e kufrit (Darul kufër) dhe ai është besimtar dhe s’ka mundësi që të bëjë hixhret, s’i detyrohen atij dispozitat që nuk mund t’i praktikojë në atë vend, se detyrimi është sipas mundësive. Po ashtu, nuk detyrohet edhe personi, i cili nuk e di dispozitën e ndonjë çështjeje, si p.sh. në rast se nuk e di se e ka detyrim faljen e namazit, dhe një periudhë nuk e fal, nuk i detyrohet përsëritja e namazeve që nuk i ka falur. Ky është mendimi më i saktë, dhe është medhhebi i Ebu Hanifes, Dhahirive dhe një prej dy mendimeve në medhhebin e imam Ahmedit.

Po ashtu, ky rregull vlen edhe për detyrimet e tjera, si: agjërimi i muajit të Ramazanit, dhënia e zeqatit etj. Në rast se personi nuk e di, se pirja e alkoolit është haram, atëherë pirësi i tij nuk dënohet, dhe kjo me pajtimin e të gjithë muslimanëve.

Por divergjenca mes dijetarëve siç e cekëm më parë është në përsëritjen e namazeve. Baza dhe prejardhja e krejt kësaj është, se: a detyrohet me detyra ai që nuk i di ligjet apo nuk detyrohet askush, deri sa ti mësojë? E vërteta në këtë çështje është, se: Dispozita nuk pohohet përveçse pas mundësisë së marrjes së diturisë, dhe se nuk e përsërit deri sa nuk e mëson detyrimin e saj. Transmetohet se ka pasur prej Sahabëve që ka ngrënë në Ramazan pas lindjes së diellit, deri sa i është sqaruar koha e fillimit dhe e mbarimit të agjërimit, dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e ka urdhëruar ta kompensojë atë ditë me një ditë tjetër. Disa prej tyre si Ebu Dheri, Omer ibën Hatabi, Amari bëheshin xhunub dhe rrinin një kohë pa u falur, sepse nuk gjenin ujë duke mos e ditur se lejohet falja e namazit me tejemum, dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk i urdhëroi ta përsërisin namazin.

S’ka dyshim se muslimanët e Mekës në fillim faleshin të drejtuar kah Bejtul Makdisi, derisa arriti urdhri prej Allahut të drejtohen nga Kibla, dhe s’u urdhëruan që ta përsërisin namazin. Kësisoj raste janë të shumta. Kjo përputhet me bazën në të cilën është selefi dhe shumica e dijetarëve, se: Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka, dhe se detyrimi kushtëzohet me mundësi, dhe se dënimi nuk vjen vetëm se me lënien e të urdhëruarës, ose veprimit të të ndaluarës, pasi t’i bëhet i qartë argumenti”. (Mexhmua el Fetava 19/ 225). Sipas kësaj, juve s’ju detyrohet përsëritja e asaj që ka kaluar dhe nuk e keni ditur se është detyruar, dhe këshilla ime është që ta mësoni fenë dhe dispozitat e saj, dhe të punoni me ato, t’i mësoni brezat e ardhshëm për fenë e tyre, që të përballoni ju dhe ata sfidat me të cilat do të ballafaqoheni në të ardhmen. E lusim Allahun azze ue xhel që ta forcojë Islamin dhe muslimanët. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

Zgjodhi dhe përkthehu: Irfan JAHIU

LIGJËSIMI I SELAMIT DHE DOBITË E TIJ

Allahu i urdhëroi muslimanët që të përshëndeten në mes veti kur të hynë në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe tha: “O ju besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre”. Nur 27, dhe “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu”. Nur 61.
Poashtu urdhëroi me dhënien e selamit gjatë takimeve me njëri-tjetrin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nëse e takon dikush vëllanë e vet, le t’i jap selam, e nëse në mes tyre ka ndonjë pemë, mur apo gur e pastaj e takon le t’i japë atij selam”.
Poashtu ligjësohet dhënia e selamit gjatë ardhjes dhe fillimit të uljes, dhe gjatë ngritjes dhe largimit prej mexhlisit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush vjen në ndonjë grupim, të përshëndesë me selam, dhe kur dëshiron të largohet, le të përshëndesë prapë me selam. Nuk është i pari më i vlefshëm se i fundit”.
Sunet është ta përshëndesë kalorësi këmbësorin, këmbësori të ulurin, pakica shumicën, i vogli të rriturin, dhe forma e përshëndetjes për atë që e fillon është: “Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu”, kurse për atë që i përgjigjet është: “Ue alejkumu selam ue rahmetullahi ue bereketuhu”. Kjo është forma më e mirë, por edhe nëse e shkurton ai që e jep vetëm se në “Es selamu alejkum”, dhe ai që përgjigjet vetëm se në “Ue alejkumu selam” lejohet, por më mirë është që kur t’ia kthen të shton në formë siç thotë edhe Allahu, azze ue xhel: “Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë”. Nisa 86.
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton këtë ajet thotë: “Kur të përshëndet një musliman përgjigju atij me më mirë duke shtuar në formë ose përgjigju ashtu si të përshëndeti”. Teprica apo shtimi në formë është e pëlqyer, ndërsa ngjasimi është detyrues që do të thotë se fillimi me selam është e pëlqyer, kurse përgjigja apo kthimi i tij detyrim dhe duhet patjetër të jetë me fjalën “Selam”.
Përshëndetjet si, mirëmëngjesi dhe mirëdita, nuk bëjnë pjesë në përshëndetjen me selam. Njeriu duhet patjetër që ta shqipton selamin dhe nuk mjafton shenja me dorë apo me kokë për shkak ndalesës që ka ardhur në hadithin të cilin e përcjell Amru ibën Shuajb, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, prej gjyshit të tij dhe ky i fundit  prej Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i cili ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili i ngjason të huajit, mos u ngjasoni çifutëve dhe të krishterëve. Përshëndetja e çifutëve është shenja me gishta, ndërsa përshëndetja e krishterëve është përshëndetja me dorë”.
Por nëse është i përshëndeturi shurdh apo është larg e kështu me radhë nuk ka problem nëse e përshëndet me shenjë dhe njëkohësisht duke e shqiptuar selamin.
Përshëndetja me selam është prej të drejtave të muslimanëve të ndërsjella dhe duhet që të përshëndeten mes veti. Jobesimtarëve nuk lejohet që t’i përshëndesim me selam, por nëse ata fillojnë me selam, u themi: “Ue alejkum”, duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mos filloni të parët me selam ndaj krishterëve dhe çifutëve, dhe nëse e takoni në rrugë ndonjërin prej tyre detyrojeni atë që tu përmbahet anëve të rrugës”.
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse ju përshëndesin juve të krishterët dhe çifutët thuani atyre: “Ue alejkum”.
O ju musliman, dijeni Allahu ju mëshiroftë se ka kohëra dhe vende ku nuk ligjësohet në to dhënia e selamit, prej saj:
Kur njeriu është duke e kryer nevojën e vogël apo të madhe, apo është në tualet, pastaj gjatë hutbes së Xhumasë nuk lejohet që të përshëndetet xhemati kur e dëgjojnë hutben, për shkak se ata janë të urdhëruar të mos flasin dhe nëse i përshëndet ndonjëri nuk lejohet që t’ia kthejnë selamin.
Poashtu, gjatë leximit të Kuranit lexuesit nuk i jepet selam kur lexon. Ajo çka e meriton të përmendet dhe t’ia tërheqim vërejtjen është përshëndetja e njerëzve me dorë pas namazeve detyruese dhe vullnetare. Kjo përshëndetje nuk ligjësohet dhe nëse njeriu vazhdon në veprimin e saj kalon në risi. Nëse e vepron atë për ndonjë shkak si kur e takon ndonjë njeri të cilin nuk e ka parë një kohë të gjatë apo ka nevojë të i flet për diçka, kjo lejohet dhe nuk ka gjë në të.
Përshëndetja me dorë gjatë takimit është sunet i pëlqyer dhe i kërkuar. Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk takohen dy muslimanë e përshëndetën me dorë vetëm se iu falen mëkatet, para se të ndahen”.
Përkulja gjatë përshëndetjes ndalohet edhe atë duke u bazuar në hadithin të cilin e shënon Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij se është pyetur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, se a lejohet përkulja gjatë përshëndetjes? Është përgjigjur se nuk lejohet. Përkulja është një lloj rukue, ndërsa rukua dhe sexhdeja nuk lejohen vetëm se për Allahun.
Sa i takon dispozitës së ngritjes për selam ose për respekt të një njeriu i cili vjen prej rruge apo hyn në ndonjë mexhlis lejohet. Kurse ngritja në shenjë respekti të një njeriu e jo për arsye të përshëndetjes së tij, siç u ngrihet mbretërve, kryetarëve, etj, deri sa ata të ulen, apo siç i urdhërojnë mësuesit nxënësit të ngrihen kur ata hyn në klasë apo kur vjen ndonjë vizitor në klasë, kjo nuk lejohet. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka qenë tradita e të parëve tanë gjatë periudhës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe periudhës së halifeve të drejtë, të i ngrihen në këmbë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe halifeve pas tij siç është traditë sot ku njerëzit u ngrihen në këmbë njëri-tjetrit”.
Madje Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se nuk ka pasur krijesë më të dashur tek ne se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, mirëpo askush prej sahabëve kur e shihte nuk iu ngritke në këmbë për shkak se ai e urrente atë.
Ndoshta janë ngritur për atë njeri i cili ka ardhur prej rruge që ta presin siç transmetohet se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, është ngritur për Ikramen, dhe u ka thënë Ensarëve kur erdhi Sad ibën Muadhi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Ngrihuni dhe priteni udhëheqësin e juaj”. Prandaj muslimanët duhet t’i pasojnë të parët tanë për të cilët Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë thënë se janë gjenerata më e mirë në historinë e njerëzimit dhe na kanë urdhëruar që t’i pasojmë ata.
O ju robërit e Allahut,
Kur njeriu përshëndet me selam apo i dërgohet selami prej një njeriu tjetër i cili nuk është prezent aty detyrohet që t’ia kthen dhe nëse përshëndetja është nëpërmjet ndonjë ndërmjetësuesi detyrohet të thotë “Ue alejhi selam”. Nëse përshëndetja është nëpërmjet ndonjë shkrimi apo letre, kur ta lexon duhet të thotë: “Ue alejkum selam”.
O ju musliman, frikojuni Allahut dhe përhapeni selamin mes jush për arsye se ai është shkak i shumë mirësive dhe i ringjalljes së Sunetit dhe i largimit të egërsisë mes njerëzve. Ai është prej fjalëve më të mira dhe të folurit më të bukur dhe Allahu për të tha: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu”. Nur 61.
O ju njerëz, kapuni për veprat e mira dhe virtytet e larta të moralit dhe dijeni se përhapja e selamit mes jush është shkak i shumë fryteve të mëdha, prej saj:
-Është një prej shkaqeve për hyrjen e njeriut në xhenet.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni nevojtarët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit tjerë flenë që të qetë të hyni në xhenet”.
-Është shkak i cili mbjell dashuri në zemër mes njerëzve.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të mos duheni në mes vete. A nuk dëshironi t’ju udhëzoj në një gjë, nëse e bëni atë do të duheni në mes vete? Përhapeni selamin (përshëndetjen) në mes jush”.
-Selami dhe përshëndetja me dorë janë shkak i faljes së mëkateve.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk takohen dy muslimanë e përshëndetën me dorë vetëm se iu falen mëkatet, para se të ndahen”, dhe me një transmetim tjetër thotë: “Kur besimtari e takon një besimtar e përshëndet dhe ia japin dorën njëri-tjetrit, iu bien mëkatet siç bien gjethet e pemëve”.
O ju besimtarë për këto arsye kapuni për të dhe veproni me të që t’i fitoni të gjitha frytet e saj.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top